Politika Kushtetuesja sqaron vendimin për t’iu drejtuar “Venecias” për zgjedhjet e 30 Qershorit

Kushtetuesja sqaron vendimin për t’iu drejtuar “Venecias” për zgjedhjet e 30 Qershorit

Ka krijuar debat vendimi i Gjykatës Kushtetuese për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias për këshillim në shqyrtimin e çështjes për zgjedhjet lokale të vitit 2019.

Prandaj është vetë organi më i lartë gjyqësor në vendin tonë që ka zgjedhur të informojë vetë publikun pasi fillimisht shpreh shqetësimin për keqinterpretimet dhe keqinformimin për këtë vendimmarrje.

“Ky vendim është i ndërmjetëm dhe mbështetet në nenin 44/b të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i shtuar në kuadër të ndryshimeve të reformës në drejtësi. Objekti dhe çështjet për të cilat u vendos të kërkohet ky opinion janë të ndryshme nga çështjet e trajtuara në opinionet e mëparshme të Komisionit të Venecies, të cilat Gjykata Kushtetuese pa dyshim i mban gjithmonë në konsideratë. Për më tepër, në morinë e çështjeve të trajtuara që nga rifunksionimi i Gjykatës Kushtetuese, ky është rasti i vetëm që ajo po e përdor këtë instrument”, thuhet në njoftim.

Gjykata Kushtetuese argumenton se i është drejtuar edhe më parë Komisionit të Venecias për çështjet me rëndësi të veçantë.

“Çështja mbi procesin zgjedhor të datës 30.06.2019 është e një natyre unike dhe këshillimi me organe të specializuara u konsiderua i nevojshëm nga kjo Gjykatë”, thuhet në njoftim.

Gjykata Kushtetuese ka theksuar rëndësinë e respektimit të pakushtëzuar të vendimeve të saj dhe ka shprehur besimin se ushtrimi i veprimtarisë të kësaj Gjykate në një klimë besimi nga kushdo do t’i shërbente forcimit të autoritetit të saj si organ kushtetues i pavarur.

“Gjykata konstaton se debati jokonstruktiv i ditëve të fundit jo vetëm që nuk i shërben kësaj klime besimi, por, përkundrazi, mund të perceptohet si përpjekje për ta përfshirë atë në debate me ngjyrime politike, të veshura nën petkun e diskurseve juridike për të paragjykuar vendimmarrjen e saj në lidhje me themelin e çështjes dhe si ndërhyrje në pavarësinë e saj”, thuhet në fund të njoftimit.

Gjykata Kushtetuese vendosi me 23 Prill pezullimin e gjykimit për pavlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të 2019 dhe vendosi që ta çojë çështjen në Komisionin e Venecias. Vendimi u mor pas një seance maratonë, ku gjyqtarët, përveç palës paditëse, shoqatës së bashkive të Shqipërisë, dëgjuan edhe pretendimet e një sërë institucionesh të tjera, përfshi Kryeministrinë, Presidencën, KQZ-në apo edhe Avokatin e Popullit.

Gjyqtarët kushtetues i lanë mundësi palëve në proces që deri më 25 Qershor të paraqesin edhe ato nga një pyetje që do t’i bashkangjitet kërkesës që gjykata do t’i dërgojë “Venecias”. Zgjedhjet për pushtetin lokal të vitit 2019 u mbajtën në një klimë të tensionuar politike dhe në shumicën e njësive vendore pa kandidatë konkurrent, teksa opozita e djathtë vendosi të mos marrë pjesë në to.