Kuvendi miratoi me 97 vota një rezolutë në të cilën i kërkohet institucioneve të tjera të injorojnë Presidentin e Republikës, në lidhje me dekretin e tij për emërimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.
Rezoluta e quan këtë veprim të Metës një akt absolutisht të pavlefshëm, jashtë kompetencave të tij dhe që minon funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.
“I bëjmë thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha organeve publike të mos e zbatojnë Dekretin e Presidentit për Xhaferllarin”, theksohet në rezolutën që u votua këtë të premte në një seancë të posaçme.
Gjithashtu, Kuvendi i bën thirrje Presidentit dhe Gjykatës Kushtetuese që të mundësojnë fillimin e detyrës së gjyqtareve kushtetues, Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji, duke mos njohur emrin e Marsida Xhaferllarit si anëtare të Kushtetueses.
Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.