Kryesore Rama: Meta ka humbur busullën. Ne nuk e kemi betejën me të,...

Rama: Meta ka humbur busullën. Ne nuk e kemi betejën me të, por me KÇK

Parlamenti, i cili u mblodh sot në një seancë të jashtëzakonshme, ka miratuar me 97 vota rezolutën që parashikon shmangien e krizës për Gjykatën Kushtetuese, në kohën kur mes mazhorancës socialiste dhe Presidentit Ilir Meta ka nisur përplasja e radhës.

Nga foltorja e Kuvendit, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj Presidentit për akuzat e këtij të fundit, duke thënë se Ilir Meta luftën e ka me drejtësinë dhe jo me qeverinë.

“Përplasja nuk është mes nesh dhe Ilir Metës, por mes Ilir Metës dhe drejtësisë. Pas kësaj nuk ka as nevojë të zgjatemi për të shpjeguar arsyen që na sjellin këtu dhe drejtësinë e vendimmarrjeve tona. Prandaj këtë herë unë nuk do merrem me Ilir Metën, por me drejtësinë. Me drejtësinë që është ende në ardhje. Asnjë Kushtetutë në asnjë vend demokratik nuk mund të parashikojë se një vendi mund t’i bjerë taksirati të ketë një President si ilir Meta. Dhe për këtë arsye ky Kuvend duhet të marrë masa ligjore kushtetuese për të krijuar të gjithë mekanizmat zhbllokues ndaj çdo akti flagrant bllokimi të atij që zyrën e Presidentit e ka kthyer në një frëngji për të shantazhuar Parlamentin, për të shantazhuar ndërkombëtarët, popullin shqiptar. Dhe besoj se Komisioni Ad-Hoc i ngritur për shkarkimin e Ilir Metës duhet ta konsiderojë shumë seriozisht, edhe paketën e rekomandimeve për Kuvendin, ashtu sikundër Komisioni i Ligjeve dhe gjithë deputetët duhet të kontribuojnë për të riardhur në Kuvend më shpejt se vonë dhe për të votuar neutralizimin e akteve të Presidentit. Kush është ky President? Na ka rënë ky taksirat dhe do bashkëjetojmë me këtë taksirat për aq kohë sa zyra  e Presidentit të Republikës do jetë ‘tokë e xanun’ nga dikush që ka humbur busullën. Reagimet tona janë të gjitha të koordinuara me të gjithë ata që kemi bërë Reformën në Drejtësi”.

Kryeministri theksoi se beteja e qeverisë dhe mazhorancës është lufta ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që nuk kanë dalë ende para Vettingut, dhe këtu i referohet atij grupi që Rama e quan “Kap Ça të Kapësh” ose “KÇK”. Kryeministri e quan organizatë kriminale këtë grupim, dhe premtimin e tij për një ligj special ndaj KÇK, Rama thotë se do ta prezantojë në Parlament më datë 25 Nëntor.

“Sot ajo që duhet të ishte drejtësi, është rëndom padrejtësi si rezultat i një numri të konsiderueshëm gjykatësish dhe prokurorësh që i përkasin organizatës kriminale KÇK. Beteja jonë sot nuk është me Ilir Metën, beteja jonë sot është me KÇK. Ata që janë akuzuar për krim të organizuar dhe që nuk janë dënuar si rezultat i atyre prokurorëve edhe atyre gjykatësve që e kthyen drejtësinë në një pazar ku kriminelët ishin të parët që jepnin ofertën. Më 25 Nëntor unë do t’i prezantoj publikut shqiptar një platformë, kjo do të jetë sfida e vërtetë”.