Ekonomi Lajmi i mbetur në hije prej tërmetit: Kosova “bashkohet” me Shqipërinë, del...

Lajmi i mbetur në hije prej tërmetit: Kosova “bashkohet” me Shqipërinë, del nga sistemi energjetik i Serbisë

Shpërndarësit e energjisë në Kosovë dhe Shqiptari, KOSTT dhe OST, nënshkruan një marrëveshje të hënën në Tiranë për krijimin e një sistemi të përbashkët energjetik që do t’i japë fund varësisë së Kosovës nga rrjeti serb i energjisë elektrike.

Marrëveshja u nënshkrua me dijen e Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energjinë Elektrike (ENTSO) dhe pritet të hyjë në fuqi në prill 2020.

Beogradi zyrtar nuk ka komentuar ende mbi këtë zhvillim që, nëse nuk do ishte situata e pas-tërmetit, do përbënte lajmin kryesor të ditës.

Drejtori Ekzekutiv i KOSTT, Ilir Shala tha se duke nënshkruar marrëveshjen, “Kosova është larguar nga Rrjeti i Energjisë Elektrike Serbe (EMS) dhe është bërë pjesë e OST”.

“Kjo është një marrëveshje historike për Kosovën dhe KOSTT, sepse deri më tani, si KOSTT, ne kemi qenë pjesë e bllokut rregullues të EMS (Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore)”, tha Sala.

“Duke nënshkruar marrëveshjen dhe duke e zbatuar atë në prill të vitit 2020, ne patjetër jemi duke u ndarë nga hapësira rregullatore serbe dhe jemi duke u bërë pjesë e bllokut rregullator me Shqipërinë,” shtoi ai.

Nga ana tjetër, Drejtori i përgjithshëm i OST-së Skerdi Drenova, tha se marrëveshja “krijon kushte të favorshme për përdorimin optimal të burimeve të prodhimit brenda bllokut”

Serbia dhe Kosova nënshkruan një marrëveshje të përbashkët për menaxhimin e energjisë në 2015, por ajo kurrë nuk hyri në fuqi.