Hapësirat e lira që u krijuan pas shkatërrimit të mjaft godinave në Durrës nga tërmeti i 26 nëntorit mund të ruhen si sipërfaqe të gjelbëruara, sheshe lodrash për fëmijët dhe lulishte pushimi për të moshuarit, një hap që do ta nxirrte qytetin nga asfiksia dhe do t’i hapte rrugën rilindjes së tij urbane.
Nga Gëzim Kabashi / BIRN
Durrësi sapo ka nisur një vit të vështirë! 54 sekondat e tmerrshme të lëkundjeve nga tërmeti i 26 nëntorit, i cili bashkë me viktimat u morri qindra familjeve banesat apo bizneset, duket se do të kërkojë shumë kohë, punë dhe financime për të shëruar plagët dhe për t’ia rikthyer imazhin qytetit bregdetar.
Për të gjithë ata që janë angazhuar në përballimin e pasojave të rënda do të ishte me shumë vlerë rikthimi në përvojën e krijuar pas tërmetit të vitit 1926, kur një pjesë e qytetit u rrënua plotësisht dhe kur brenda 15 vitesh Durrësi morri pjesërisht pamjen që ka sot.
Pa harruar se ai mbetet qyteti i vetëm antik në bregun lindor të Adriatikut që vazhdon të mbijetojë, pavarësisht nga pushtimet e shumta dhe tërmetet shkatërrues. Në 3 mijë vitet e ekzistencës, durrsakët e kanë rindërtuar atë, jo vetëm me vullnet dhe aftësi, por edhe falë qytetarisë që i karakterizon.
Por le ti rikthehemi shembullit të shekullit të kaluar.
Sipas studiuesve, në dhjetor të vitit 1926 rajoni i Durrësit dhe Kavajës u godit nga një seri tërmetesh të fuqishme, që shkatërruan shumicën e shtëpive, rrëzuan minaretë e xhamive, ndërsa një portë e kalasë së vjetër u shkatërrua plotësisht.
Në mungesë të aparaturave sizmike të dhënat u siguruan nga buletini i Sarajevës, sipas të cilit magnituda arrinte në 6.5.
Dr. Ali Sula, 97 vjeç, mjek shumë i njohur në Durrës thotë se kujtimi i parë i fëmijërisë së tij lidhet me tërmetin e 16-17 dhjetorit 1926, kur “qyteti u drodh disa ditë me radhë dhe mjaft banesa u shkatërruan plotësisht”.
Mjeku i nderuar kujton se pikërisht asaj periudhe i përkasin projektet për ndërtimet më të rëndësishme të qytetit, shumë prej të cilave përfaqësojnë imazhin e tij edhe sot. Durrësi në atë kohë kishte vetëm 4 mijë banorë dhe gjithçka zhvillohej brenda mureve të kalasë.
Brenda pak vitesh pamja urbanistike e qytetit ndryshoi krejtësisht. Marrëdhëniet e favorshme me Italinë fqinje mundësuan konsulencën e projektuesve të shquar të kohës, ndërsa ata pak inxhinjerë dhe specialistë vendas punuan në hartim dhe zbatim.
Ndër godinat e para që u ngritën pas tërmetit ishte ajo e Bankës së Shtetit, e cila vazhdon të jetë një nga ndërtimet më të bukura në qytet.
Ndërtimi i portit modern filloi në vitin 1928. Godinat e drejtorisë së portit dhe xhamia e madhe, që përfundoi në vitin 1938 bashkohen nga bulevardi që për shumë kohë u njoh me emrin “Rruga tregtare” (sot Bulevardi “Epidamn”) dhe që nga lart të krijon edhe sot idenë e spirancës së anijes. Urbanistët edhe në këtë pikë ishin kujdesur për të dhënë imazhin e qytetit-port.
Në të dy krahët e bulevardit u ngritën vila 2-3-katëshe, të cilat shërbejnë edhe pas 80 vitesh si dyqane, lokale, hotele apo biznese me destinacion turistik.
Sheshi qendror me emrin “Lirija” u krijua pikërisht në këtë periudhë, kur u ndërtua edhe godina aktuale e Bashkisë. Shumë pranë torrës mesjetare përfundoi në vitin 1940 edhe hoteli, që njihet edhe sot me emrin “Vollga”.
Një tjetër godinë me pamje të mrekullueshme u ndërtua në vitin 1937. Vila e ish-mbretit Zog, vazhdon të jetë një nga godinat më të hijshme të Durrësit, edhe pse e dëmtuar rëndë në vitin 1997.
Gjithçka u ndërtua në harkun e 15-20 viteve, menjëherë pas tërmetit të rëndë të vitit 1926. Madje edhe plani urbanistik i plazhit nisi të zbatohej në atë kohë. Durrësi u rimëkëmb shumë shpejt dhe numri i banorëve u shtua me mjekë, arsimtarë dhe zanatçinj. Qyteti, që dikur kishte pamjen e fshati të madh u kthye në një zonë mjaft tërheqëse me kinema, hotele dhe restorante.
97-vjeçari Ali Sula është nga dëshmitarët e gjallë se si qyteti sakrifikoi godinat e dikurshme për të krijuar një pamje krejtësisht tjetër.
E njëjta gjë që duhet bërë veçanërisht me hapësirat e lira që u krijuan pas shkatërrimit të mjaft godinave në zonën e plazhit. Shfrytëzimi i tyre si sipërfaqe të gjelbëruara, sheshe lodrash për fëmijët dhe lulishte pushimi për të moshuarit, apo edhe si vendparkime automjetesh, do të nxirrte nga asfiksia edhe disa nga lagjet e populluara mjaft dendur në qytet.
Por kjo mund të bëhet vetëm duke pranuar ndërtimet e gabuara dhe duke e shikuar të ardhmen e qytetit me sytë e atyre që e duan Durrësin.
Në historikët e qytetit përmendet jo vetëm kryebashkiakët që udhëhoqën procesin e transformimit të qytetit, por edhe projektuesit dhe ustallarët ndërtues.
Njerëz të thjeshtë, një pjesë e të cilëve po harrohen vit pas viti. Ashtu siç janë harruar edhe kontribuues të shquar në zhvillimin e qytetit ndër vite.
Fatkeqësisht një nga shoqatat më të mëdha durrsake, si dhe bashkia e qytetit në 20 vitet e fundit janë kujdesur për tu dhënë tituj nderi veçanërisht ndërtuesve të kohëve të fundit.
Disa prej atyre që janë ngjitur në podiumet e ceremonive për të marrë certifikatat “Nderi i qytetit” apo “Simbol i Durrësit” tashmë konsiderohen të paktën moralisht fajtorë për cilësinë e dobët të ndërtimeve, që lanë pas jo vetëm rrënime.
Qyteti i Durrësit duhet ti rikthehet vlerave të vërteta dhe mbi të gjitha të mësojë nga veprimtaria e tyre njerëzore.
Ndërsa Bashkisë iu deshën më shumë se 10 vjet për të emërtuar një rrugë me emrin e tij, kohët e fundit një grup arkeologësh dhe intelektualësh të Durrësit kanë kërkuar zyrtarisht që 2020 të shpallet “Viti mbarëkombëtar i arkeologjisë “Vangjel Toçi”.
Propozuesit dhe qytetarët e hershëm durrsakë e shohin figurën e arkeologut Vangjel Toçi si një mundësi për të nënvizuar vlerat që vijnë nga përkushtimi, aftësia dhe ndershmëria.
Vangjel Toçi (1920-1999) nuk është vetëm zbulues i Amfiteatrit antik, i Termave romake apo i Mozaikut “Bukuroshja e Durrësit”, por edhe themelues i Muzeut arkeologjik të Durrësit (1951), i Bibliotekës së qytetit (1945), i Ateliesë së Monumenteve (1962), i Galerisë së Arteve (1968), etj.
“Është një rast shumë i mirë për organizimin e veprimtarive gjithëvjetore që nënvizojnë rëndësinë e zbulimit dhe ruajtjes së vlerave arkeologjike, një nga asetet më të rëndësishme turistike dhe ekonomike për qytetin 3000-vjeçar”, shkruhet në kërkesën që ata i kanë drejtuar Ministrisë së Kulturës.