Aktualitet Ligji që prek edhe shqiptarët, avokati: Kush dërgohet në Ruanda nuk kthehet...

Ligji që prek edhe shqiptarët, avokati: Kush dërgohet në Ruanda nuk kthehet më në Britani edhe po fitoi azilin

Brenda 10-12 javëve, nga Britania e Madhe do të niset fluturimi i parë me emigrantë të paligjshëm në drejtim të Ruandës, pasi paketa e emigracionit që parashikon dërgimin e azilkërkuesve në shtetin afrikan, u miratua mbrëmjen e së hënës në Parlament.

Avokati shqiptar në Londër, Sajmir Kumria, i ftuar në A2CNN shpjegoi të gjithë kategoritë e azilkërkuesve që rrezikojnë të largohen drejt Ruandës, ku nuk përjashtohen as shqiptarët e mbërritur dy vitet e fundit.

“Personat që janë në rrezik nga ky ligj, mënyrë absolute nuk do tu pranohet kërkesa e azilit dhe do të jenë subjekt direkt për dërgimin në Ruanda. Por po ashtu janë subjekt potencial në rrezik, të gjithë ata qytetarë që kanë hyrë në mënyrë ilegale në Mbretërinë e Bashkuar nga 1 janari 2022 dhe të cilët kanë kërkuar azil, azil që mund të rezultojë në vijim që merr një refuzim të formës së prerë në Mbretërinë e Bashkuar. Të gjithë personat nga çdo nacionalitet që nga sot e në vazhdim hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar, nuk do e kenë më mundësinë të kërkojnë azil, apo mbrojtje mbështetur në legjislacionin e azilit”.

Teksa ligji pret aprovimin nga Mbreti Charles III për të hyrë në fuqi, procedurat teknike për largimin e azilantëve drejt Ruandës do të njoftohen nga Home Office.

Kumria sqaroi se ligji i ri parashikon dërgimin e azilkërkuesve në Ruanda jo për të pritur vendimin final, por për të mos u kthyer më kurrë në Britaninë e Madhe.

“Ajo që duhet të theksojmë është se të gjithë qytetarët që kërkojnë azil për t’u mbrojtur nga problematikat që ata faktojnë për jetën e tyre, nëse shkojnë në Ruanda nuk e ka më të drejtën të kthehet në Mbretërinë e Bashkuar edhe nëse azili i tyre aprovohet. Cilido që shkon në Ruanda do të ndjekë procedurën e azilit atje dhe nëse e fiton azilin do të jetojë dhe integrohet në shoqërinë e Ruandës sipas legjislacionit atje.”