Partia Socialiste zyrtarizon një pjesë të kandidatëve. Në pikëpyetje qytetet kryesore
Gjatë punimeve të Kongresit të Socialistëve u bënë publike edhe një pjesë e kandidatëve për kryetar bashkie në disa njësi vendore ku më të spikaturit por edhe të certifikuar zyrtarisht nga strukturat e partisë janë: Sotiraq Filo në Korçë, Erion Veliaj në Tiranë, Armando Subashi në Fier, Pjerin Ndreu në Lezhë, Gledian Llatja në Elbasan dhe Majlinda Bufi në Roskovec.
Ndërkohë që janë të pa zyrtarizuar kryebashkiakët e Shkodrës, Durrësit dhe Vlorës. Vlen për t’u përmendur fakti që kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli, edhe pse gjatë kongresit të socialistëve foli në Pallatin e Kongreseve ende nuk është i konfirmuar si kandidat dhe kjo për faktin, se kreu i socialistëve dhe njëkohësisht deputeti i zonës së Vlorës, Edi Rama ka marrë shumë vlerësime jo pozitive për punën e z. Leli.
Elektorati i majtë dhe tradicional i Vlorës të ndëshkon pa u kuptuar dhe këtë më mirë se kushdo e di vetë kryeministri Rama, i cili po teston se cila mund të jetë kandidatura gjithëpërfshirëse e së majtës, pasi kryebashkiaku i ardhshëm i Vlorës do të ketë edhe koston për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Problemet e hasura, pakënaqësitë e marrëdhënieve me qytetarët, klientelizmi dhe shumë incidente si brenda zyrave të kryebashkiakut Leli, por edhe jashtë saj e vënë në dyshim dhe shtojnë ndjeshëm pakënaqësitë ndaj kësaj kandidature.
Gjithsesi ai që do vendos, do të jetë vetë z.Rama dhe shtabi i tij elektoral për qytetin bregdetar ku figura e kryebashkiakut aktual duket disi e vështirë qoftë edhe formalisht të bashkojë të majtën, duke ia bërë më të lehtë sulmin opozitës lokale me kandidaturën e Dritan Leli.
Kryetarja e bashkisë së Roskovecit Majlinda Bufi është vënë nën hetim, pasi ka urdhëruar shembjen e një objekti, ndërkohë që ekzistonte një vendim gjykate që e ndalon një veprim të tillë.
Gjykata e Shkallës së parë administrative në Vlorë dha dje në orën 09:30 vendimin për “Pezullimin e prishjes së aktit administrativ për njoftimin e prishjes së ndërtimit”. Një vendim i tillë e detyron bashkinë e Roskovecit që të mos ndërmarrë hapa të tjerë për prishjen e ndërtimit që është në pronësi të kundërshtarit politik të kryebashkiakes, Jorgo Bega.