Sport Propozimi i ri: Kombëtarja me trajner shqiptar, De Biazi, drejtor teknik

Propozimi i ri: Kombëtarja me trajner shqiptar, De Biazi, drejtor teknik

Lënia vakant e postit të trajnerit të Kombëtares ka rikthyer edhe një herë në skenë mundësinë e një trajneri shqiptar në krye të Kombëtares shqiptare.

Sipas Panorama Sport, një ide e tillë i është propozuar edhe vetë presidentit të FSHF-së, Armand Dukës.

Sigurisht që emrat e parë në këtë listë janë ato të trajnerit Besnik Hasi apo edhe të Bledar Kolës. Nga viti 2002, trajneri Sulejman Demollari ka qenë i fundit shqiptar në krye të përfaqësueses me kontratë, duke mos marrë parasysh drejtimin e ekipit në ndeshjen e djeshme ndaj Andorrës nga Ervin Bulku nën asistencën e Sulejman Memës.

Njerëz të afërt me numrin një të institucionit të futbollit në vend i kanë propozuar atij që krahas trajnerit shqiptar për Kombëtaren, të afrohej edhe Xhani De Biazi në rolin e drejtorit të ekipeve kombëtare. Ky i fundit, të mund të kishte nën mbikëqyrje ekipet kombëtare për të pasur nën vëzhgim edhe mënyrën e lojës së secilës prej tyre.

Duka nuk ka dhënë një përgjigje të prerë për këtë propozim, duke mos e rrëzuar mundësinë, por deri më tani, as duke e pranuar dhe vendosur.