Opinione Llallaizmi si sharlatanizëm juridik dhe politik

Llallaizmi si sharlatanizëm juridik dhe politik

 

Prof. Dr. Fatos Tarifa

Parmbrëmë pashë në TV një vajzë të re, e cila, në cilësinë e zëdhënëses së Prokurorisë së Përgjithshme, lexoi një deklaratë. Një deklaratë absurde, e shkruar nga dora e vetë kryeprokurorit të përgjithshëm (ende në detyrë), Adriatik Llalla, ose e kalemxhinjve të tij të paaftë. Një deklaratë politike e një titullari moralisht, juridikisht e politikisht të korruptuar, të shfrytëzuar e të rrënuar, që e përshkon fund e krye psikoza e të paaftit dhe e fajtorit.

Zëdhënësja e atij institucioni, një qytetare e thjeshtë e këtij vendi,që kryen detyrën e saj funksionale, m’u dhimbs.  Sinqerisht m’u dhimbs. Kushdo mund ta ketë vënë re dhimbjen dhe pozicionin e saj të vështirë teksa lexonte, pa ngritur sytë nga teksti, atë deklaratë paçavure të servirur nga bosi i saj. Jam i bindur se ajo vetë nuk u besonte fjalëve që lexonte për publikun. Madje, fjalën “sorosist” (referuar George Soros-it), të përmendur në këtë deklaratë në kontekstin e “presionit” të ambasadorit amerikan në Tiranë ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, zëdhënësja e Llallës kam përshtypjen se as e ka kuptuar. Nuk besoj të ketë ndonjë shqiptar të mençur e të ndershëm që t’u ketë besuar fjalëve që atë zonjushë e kishin urdhëruar t’i servirte publikut.

Nëse Shqipëria, pas më shumë se një çerek shekulli, ka mbetur këtu ku është dhe ende lëngon nën peshën e një trysnie të rëndë që shkaktojnë varfëria dhe korrupsioni endemik, kjo ka ndodhur edhe për shkak të një shteti të dobët, me institucione demokratike të dobëta, me njerëz të korruptuar e deri kriminelë në krye të tyre—me një fjalë, me një shtet “të kapur” nga politika, siç është bërë e modës të thuhet sot. Gjithmonë kam besuar se kjo nuk është një situatë fatale, se populli dhe vendi ynë nuk janë fatalisht të dënuar të vuajnë nga varfëria, nga pisllëku moral e politik, nga padrejtësitë, nga frika prej njerëzve në pushtet dhe nga pasiguria për të ardhmen.

Nëse do të kishim mundur të krijonim një shtet ligjor (çka reforma në drejtësi synon të realizojë) dhe do të synonim të krijonim një shtet të së drejtës (çka mbetet ideali më i lartë i çdo shoqërie), atëherë do të kishim pasur prokurorë, gjyqtarë dhe avokatë të zotë e të ndershëm; për rrjedhojë, do të kishim edhe legjislatorë e politikanë të mençur, të ndershëm e të zotë. Por, pak të tillë kemi parë deri më sot. Madje, edhe kur këta kanë guxuar të vënë ligjin mbi interesat e veta dhe mbi presionin politik të ushtruar mbi ta, nuk i kanë lënë, por i kanë kërcënuar dhe hequr.

Maksim Haxhia dhe Arben Rakipi, dy ndër kryeprokurorët më të mirë që ka nxjerrë ky vend pas rënies së komunizmit, janë emrat që më vijnë vetvetiu në mend. Krahasoni, për një çast, personalitetet dhe integritetin e tyre profesional me personalitetin dhe integritetin moral e profesional të kryeprokurorit Llalla, të cilat, në titullin e këtij shkrimi, i quaj “llallaizëm”. “Izmi” këtu përdoret si një sufiks për të treguar një dukuri politike e juridike (jo domosdo një ideologji), që pasqyron një realitet tronditës në shoqërinë shqiptare.

“Llallaizmi” është jo thjesht rasti më i fundit i mediokritetit dhe i korrupsionit absolut në sistemin e drejtësisë, por edhe mishërimi i veprimit anti-ligj dhe anti-shtet në emër të ligjit dhe të shtetit. Unë do të shtoja, madje, se ky “llallaizëm” që shohim e dëgjojmë përditë është një dukuri intelektuale tepër mjerane, përtej madje edhe kufijve të racionales. Thjesht lexoni letrën e Llallës drejtuar Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Kuvendit dhe do të shihni jo vetëm shkallën e deficitit intelektual, të mungesës së argumentit juridik (“sorosizmi” nuk është argument juridik) e të servilizmit politik të këtij kryeprokurori, por, nëse keni pak nuhatje politike, do të konstatoni në të edhe shkallën e varësisë skllavëruese të këtij kryeprokurori ndaj padronëve që e ulën në atë karrige, frikën ndaj tyre dhe shpresën e pashpresë se ata mund ta shpëtojnë.

Unë nuk e njoh nga afër Adriatik Llallën. Nuk kam pasur kurrë rastin ta shoh as në distancë, përveçse përmes ekranit plastik të televizionit. Por i kam dëgjuar e lexuar disa prej “bombave” deklarative që ka hedhur nga koha në kohë në mediat tona, duke u përpjekur të krijojë përshtypjen e një kryeprokurori të vendosur e kombativ. Megjithatë, te unë dhe te shumë të tjerë, Llalla ka krijuar një përshtypje krejt të kundërt: atë të një prokurori aspak të mençur, të mefshtë, inaktiv, (amerikanët do të përdornin fjalën “dull”), të një njeriu “pa këllqe”, të trembur, të molepsur, të zhytur këmbë e kokë në korrupsion, të shndërruar nga një njeri me dy para në xhep dhe krejt i rëndomtë, në një njeri, siç thonë ata që e njohin nga afër, të pasuruar si pak të tjerë në këtë vend. Por, përsëri, një njeri krejt i rëndomtë.

Ky njeri, krahas shumë të tjerëve, duhet të konsiderohet përgjegjës për shkallën e lartë të korrupsionit që ekziston në këtë vend, për miliarda dollarë pasuri të grabitura, të padeklaruara e të fshehurave nga politikanët, gjyqtarët dhe prokurorët e këtij vendi, gjatë kohës që Llallën, këtë “amebë politike”, pikërisht për shkak të cilësive të tij të mësipërme, e kishin vënë të bënte “gardianin” në krye të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Prej këtij pozicioni shumë të rëndësishëm, atë e parashutuan në krye të Prokurorisë së Përgjithshme. Ku do të gjendej një njeri më i përshtatshëm për të mbuluar (jo zbuluar) pasuritë e grabitura të politikanëve shqiptarë, korrupsionin dhe krimet e motivuara nga etja e pasosur për fitim?

Llalla ishte njeriu i besuar i kësaj kategorie njerëzish dhe vetë si një pjesë e së keqes. Çudia është jo pse ambasada amerikane i anuloi këto ditë kryeprokurorit shqiptar vizën për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, por pse nuk e ka bërë këtë deri më sot.

Letra e Llallës për Presidentin e vendit dëshmon jo vetëm psikozën e frikës që po përjeton këto ditë kryeprokurori, duke u përpjekur, si njeriu që mbytet e s’ka shpëtim, të kapet pas çdo objekti që mund të gjejë, por edhe shkallën e ulët të inteligjencës së tij. Pasi dështoi tërë këto vite të zbulonte e t’ia dorëzonte organeve të drejtësisë kusarët dhe të korruptuarit e këtij vendi, Llalla e gjeti, më në fund, zyrtarin e lartë më të korruptuar në Shqipëri, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë! Ky i fundit, “duke u prezantuar si nxitës i Reformës në Drejtësi” në vendin tonë, i paska kërkuar Llallës që “të mos vijonte hetimet ndaj disa kompanive” të huaja, për të cilat Llalla paska pasur “dyshime se kanë shkelur ligjet shqiptare”. Çdo fjalë në thonjëza, e përmendur më sipër, është e Llallës, në letrën e tij butaforike për Kreun e Shtetit.

Llalla shkon edhe më tej me akuzat e tij për ambasadorin amerikan, Donald Lu, duke pohuar se arsyet për të cilat Llallës iu anulua viza amerikane shpjegohen me “disa qëndrime dhe përfitime personale të ambasadorit të SHBA-së në Tiranë”. Llalla i shkon qorrsokakut në të cilin ka hyrë deri në fund: “Prokuroria e Përgjithshme”, i rrëfehet ai Presidentit të vendit”, “gjendet nën një presion të hapur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri”!! E vetmja gjë që Llalla nuk i ka kërkuar Presidentit Nishani është që ky ta shpallë përfaqësuesin zyrtar më të lartë të Uashingtonit në Tiranë një “persona non grata”.

Nga një lepur i strukur mes ferrash dhe i trembur nga hija e çdo keqbërësi me pushtet, papritur e papandehur kryeprokurori ynë shndërrohet në një “luan”, në një  “warrior” sypatrembur dhe gati-gati sa nuk kërkon t’i shpallim luftë Amerikës, pasi kjo e fundit na paska “pushtuar” politikisht, përmes ambasadorit të saj në Tiranë, i cili, veç “zot i politikës” shqiptare, kërkon tani të bëhet edhe “zot i institucionit të prokurorisë” në Shqipëri.

Anti-amerikanizëm llallaist. As parë, as dëgjuar. A keni parë ose dëgjuar çudi më të madhe dhe një kryeprokuror më trim e më të vendosur për t’i shkuar luftës ndaj së keqes dhe ndaj “imperializmit amerikan” deri në fund?! Dhe një kryeprokuror më pak të ditur dhe krejt pa imagjinatë se ky që kemi?! Kaq i paditur dhe politikisht e profesionalisht naiv është Llalla, saqë nuk e di se asnjë ambasador—amerikan ose i kujtdo vendi tjetër qoftë—nuk flet dhe nuk bën kurrë deklarata ose veprime të rëndësishme nëse këtë nuk ia kërkon shteti që ai përfaqëson?

Llalla mund të ketë menduar deri më sot se është mbi ligjin, por ai nuk mund të jetë mbi të vërtetën. Dhe e vërteta mund të pengohet për t’u mësuar për një farë kohe, por jo të vritet. Ajo gjithnjë zbulohet. Llalla i trembet pikërisht së vërtetës. Dhe sa më shumë që ai flet për ruajtjen e “pavarësisë” e të “integritetit” të vet nga “invazioni amerikan”, aq më e madhe është frika e tij prej së vërtetës.