Lleshaj sulmon Metën: Çrregullim i skajshëm i zotërisë që e ka kthyer Presidentin në një absurditet folklorik
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj thotë se duhet një kornizim me ligj të funksionimit të Presidentit pasi ky i fundit paralajmëroi tubim qytetar më 2 Mars.
Ai shton se policia shqiptare do të hyjë në histori si e para në planet që do të garantojë tubimin e parë anti-qeveritar nga kreu i shtetit.
Po ashtu ai thotë se Meta me këtë vendim ka një çrregullim të skajshëm dhe se e ka kthyer Presidentin në absurditet folklorik.
”Koha për të kornizuar me ligj funksionimin e institucionit të Presidentit! Prej 20 vjetësh diskutohet dhe harrohet. Por siç po duket deri në dhimbje tanimë, ideja se kreu i shtetit është individ i vetërregullueshëm, ka vdekur! Republika Parlamentare nuk diskutohet, respektohet.
Fakti që Policia e Shtetit duhet të hyjë në historinë e planetit si e para polici në botë që garanton tubimin antiqeveritar të kreut të shtetit, flet më shumë se një miliardë fjalë për çrregullimin e skajshëm të zotërisë që e ka kthyer Presidentin në një absurditet folklorik”, tha Lleshaj.
Atij i është përgjigjur menjëherë presidenti Meta, me anë të Tedi Blushit: “Asnjë sekondë për të humbur me “Gjeneralin” nën poture. Si mund të bëjë moral për Kushtetutën një gënjeshtar që donte të hynte në shkelje të Kushtetutës me kamuflazh në zyrën e ministrit? Qetësohu “Gjenerali” nën poture: Rendin në 2 mars e garanton Presidenti bashkë me popullin!”