Aktualitet Lleshaj tregon historinë personale: Kam pasur fatin e keq të kuptoj se...

Lleshaj tregon historinë personale: Kam pasur fatin e keq të kuptoj se çfarë është humbja e një fëmije

Ministri i dorëhequr, Sandër Lleshaj, në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” ka treguar një histori personale duke thënë se ka humbur një fëmijë.

Lleshaj u shpreh se nuk e ka treguar kurrë këtë fakt, por e ka përjetuar vetë dhe kupton shumë qartë se çfarë dhimbje po përjeton familja e Klodian Rashës.

“Qëllimi është i thellë moral. Unë kam pasur fatin e keq që ta kuptoj vetë se çfarë do të thotë humbja e një fëmijë.

Nuk e kam treguar, por e kam përjetuar vetë. Dhe jam shumë i prekur nga fakti që një familje shqiptare me shumë dinjitet që ka humbur një fëmijë për veprimin apo mos veprimin të një punonjësi të Policisë së Shtetit.

Ky është motivi që më ka shtyrë drejt këtij hapi. Por unë e kam përmendur në intervistat e mia që kam marrë postin e kam menduar dorëheqjen dhe kjo është shumë normale”, ka treguar Lleshaj.

Lleshaj u shpreh se dorëheqja është pranuar nga Kryeministri dhe ka qenë e parevokueshme.

“Sigurisht që dorëheqja është pranuar dhe është e parevokueshme. Dorëheqja është një akt moral i rëndësishëm. Sot arrita ta finalizoj se nuk doja ta bëja pa praninë e Kryeministrit”, tha Lleshaj.

Më tej ai shtoi se largimi nga detyra është akti i tij sovran dhe nuk është ndikuar nga kryeministri Rama.

“Ju mund t’i jepni shkak fantazinë tuaj, por dorëheqja jepet vetë, është akt individual dhe sovran i imi”, tha Lleshaj.

Më tej ish-ministri i Brendshëm tha se vendimin për dorëheqjen kishte disa ditë që po e mendonte, por sot e vendosi plotësisht.

“Dorëheqja ka disa dimensione, pasi kemi një djalë të vrarë në mënyrë të pajustifikueshme. Unë dua të distancohem nga një praktikë e shëmtuar e drejtimit të gishtit, nga ata që nuk kanë të drejtë të ngrenë as gishtin dhe as dorën. U bënë disa ditë që kanë ngritur gishtin dhe dorën kundër policisë, por u mungon e drejta morale, pasi u kanë lënë shtetit shumë ngjarje të rënda. Unë e kam dhënë dorëheqjen për t’u thënë që unë nuk jam si ju. Unë nuk asnjë lidhje me ngjarjen, por unë u them atyre që të vazhdojnë rrugën. Dorëheqja është në respektim të qytetarëve”, shtoi ministri.

Më fund ministri i dorëhequr pati dhe një mesazh për opozitën dhe se dorëheqja u dedikohej dhe atyre.

“Kemi patur artikulime zyrtare të opozitës që kanë thënë se përgjegjësinë për vrasjen e ka ministri i Brendshëm. Unë u them se ministri nuk ka asnjë përgjegjësi për ngjarjen, por u kërkoj që të shkëputen nga 21 Janari”, shtoi më tej Sandër Lleshaj.