Shtetet e Bashkuara akuzohen për konfiskimin e 200 mijë maskave të prodhuara për Gjermaninë, në një akt që është dënuar si pirateri moderne. Qeveria e Berlinit tha se ngarkesa me maskat e prodhuara në SHBA, ishte konfiskuar në Bangkok. Sipas ministrisë së Brendshme, maskat ishin porositur nga forcat policore të Berlinit, por nuk mbërritën kurrë në destinacion.
Autoritetet gjermane i bënë thirrje administratës Trump t’i përmbahet rregullave të tregtisë globale. Kompania amerikane që i prodhoi, “3M”, u ndalua të eksportojë pajisjet mjekësore në vendetë tjera mbi bazën e një ligji të kohës së luftës me Korenë, i aktivizuar nga presidenti amerikan Donald Trump. Ndërsa njoftoi hyrjen në fuqi të ligjit të luftës ditën e premte, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se pajisjet mjekësore nevojiteshin brenda vendit.
Gjermania nuk është e vetmja që ankohet për praktikat amerikane. Në Francë disa liderë rajonalë thanë se po luftojnë për të siguruar pajisjet mjekësore pasi SHBA po ia pamundëson këtë. Përpjekja për të siguruar maska në këtë kohë, krahasohet më gjueti thesari. Ndërsa pandemia e koronavirusit përkeqësohet, kërkesa për pajisjet jetësore si maska apo respiratorë është rritur ndjeshëm. Për këtë ka kontribuar edhe deklarata e Organizatës Botërore të Shëndetësisë me herët gjatë javës se po konsideron mundësinë për përdorimin e maskave nga të gjithë.
Qendra Amerikane për Kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve udhëzoi qytetarët t’i përdorin maskat, pasi Shtetet e Bashkuara raportuan mbi 1100 vdekje në një ditë. Por Presidenti Trump tha se nuk do ta bënte këtë, pasi nuk mund ta imagjinonte veten teksa takonte personalitet të rëndësishme në Shtëpinë e Bardhë me maskë në fytyrë. Shtetet e Bashkuara numërojnë mbi 278000 raste me Covid-19 e më shumë së 7 mijë vdekje, sipas të dhënave të Universitetit “John Hopkins”.