Politika Mandati i Xhaçkës, Shehaj: Dëm i madh për besueshmërinë e Kushtetueses nëse...

Mandati i Xhaçkës, Shehaj: Dëm i madh për besueshmërinë e Kushtetueses nëse e nxjerr të larë

Dy seanca ka zhvilluar sot Gjykata Kushtetuese lidhur me mandatin e ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.

Paradite u shqyrtua ankimimi nga grupimi i Enkelejd Alibeajt, i cili kërkoi rrëzimin e vendimit të Kuvendit për të mos ia përcjellë trupës kushtetuese legjitimitetin e mandatit të deputetes, njëherësh Ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.

Ndërsa pasditen e së mërkurës u shqyrtuar padia e bërë nga grupimi i Sali Berishës ndaj ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.

Pas seancës, deputeti demokrat Agron Shehaj u shpreh se është shumë e qartë që ministrja ka përfituar nga prona publike.

Deputeti demokrat theksoi se nëse Xhaçka del siç, u shpreh ai, “e larë”, besueshmëria e Kushtetueses do të vendosej në pikëpyetje.

“Është shumë e qartë, zonja Xhaçka ministre e Jashtme ka përfituar nga prona publike. E ka bërë këtë duke përdorur bashkëshortin dhe kunatën. Sot avokati i Xhaçkës, pranoi vetë që shtetasja e huaj që ka marrë statusin e investitorit strategjik për të fshehur bashkëshortin e Xhaçkës, është kunata e zonjës Xhaçka. Kështu që vendimi në gjykimin tonë është shumë i thjeshtë. Ne besojmë se Gjykata Kushtetuese, ka krijuar një precedent, standard, atë që të heqë mandatin e deputetëve nëse këta përfitojnë nga prona publike. Jemi të bindur që ka vetëm një mundësi përballë këtij abuzimi dhe akti korruptiv, përndryshe do të ishte realisht një dëm shumë i madh për besueshmërinë e kësaj gjykate që me vendimin e saj do ta nxirrte të larë deputeten Xhaçka”, tha deputeti Agron Shehaj.

I pyetur nëse ka pretendim nga pala mbrojtëse dhe Kuvendit, që është tejkaluar afati 3 mujor për shqyrtimin, deputeti demokrat tha se nëse Gjykata do të tregohet e drejtë, nuk ka arsye për pretendime.