Sport Marotta dhe Conte lënë pas debatet: Jemi të bashkuar për fitoren

Marotta dhe Conte lënë pas debatet: Jemi të bashkuar për fitoren

Paqja tek Interi është vulosur solemnisht sot me konferencën e përbashkët simbolike të Antonio Conte dhe Giuseppe Marotta. I pari që e mori fjalën ishte CEO i Interit, Marotta.

Marotta tha: “Conte ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Ne i dinim aftësitë e tij, veçanërisht karakteristikat që ka. Conte ia dedikon ditët e jetës së tij këtij aktiviteti, ndaj mund të jetë vetëm i dobishëm. Kemi pasur rritje në të gjithë sektorët, asgjë nuk është anashkaluar. Koncepti i besueshmërisë, i cili na ka çuar përpara, krijon unitetin e qëllimeve. Ne duam të jemi afër trajnerit, për ta ndihmuar atë nga pikëpamja organizative, për të përmirësuar infrastrukturën. Mbeta shumë i kënaqur javën e kaluar, kur Conte u përkushtua vetë për të analizuar barin e “Pinetina”. Me këtë lloj meraku për gjërat, duke përmirësuar, ne mund ta arrijmë qëllimin. Cili është ai? Për një klub si Interi, gjithmonë duhet qëndrueshmëri, shkuarja në Champions, duke përfunduar në katër të parët”.

Ndërsa për përplasjet me klubin, Conte tha: “Unë nuk do të flisja për keqkuptime. Ka pasur qasje, madje edhe vizione të ndryshme, por si në të gjitha familjet e mira, secili ka mundur të shprehë vlerësimet e veta. Kanë qenë gjithmonë diskutime të sinqerta dhe besnike mes njerëzish që punojnë për klubin. Nga ana ime ka një dëshirë të madhe për të vazhduar të bëj atë që bëj më mirë, duke punuar me lojtarët. Do të jetë një sezon i vështirë”.

Në lidhje me merkaton, Conte shtoi: “Nëse flasim për përvojë, Vidal dhe Kolarov na e sjellin dhe kjo nuk do diskutim. Hakimi është 21 vjeç dhe vjen pas një sezoni të mirë. Në marrëveshje me klubin kemi vlerësuar një strategji që i merr parasysh kostot në këtë situatë të veçantë që ka përfshirë gjithë botën. Jemi të vëmendshëm ndaj mundësive, po punojmë në qetësi totale dhe në harmoni. Duam të konsolidojmë kredibilitetin e fituar sezonin e shkuar, kur dolëm në vend të dytë dhe në finalen e Europa League. Rruga e ndjekur është e duhura, edhe pse përballet me situata të veçante si pandemia e fundit”.