Bota Marrëveshja për Brexit, Parlamenti i ri britanik e aprovon, Brukseli: Jemi gati

Marrëveshja për Brexit, Parlamenti i ri britanik e aprovon, Brukseli: Jemi gati

Procesi Brexit po shkon drejt përmbylljes. Me një mazhorancë dërrmuese, 358 vota pro dhe 234 kundër, Dhoma e Komunëve aprovoi ujdinë e kryeministrit britanik Boris Johnson për divorcin nga Bashkimi Europian.

“Marrim shkas nga votimi i marrëveshjes dhe do të ndjekim procesin e ratifikimit nga afër. Jemi të gatshëm të bëjmë hapat zyrtarë për të mbyllur akordin edhe në BE me votimin në Parlamentin Europian”, deklaroi menjëherë Komisioni Europian.

Votimi në Dhomën e Komunëve nuk është hapi i fundit, por sigurisht përmbyllja e Brexit është shumë afër: Tani pritet vetëm aprovimi i marrëveshjes së divorcit në Dhomën e Lordëve që më pas të ketë dhe një votim përfundimtar në Parlamentin Britanik dhe vula e mbretëreshës që të zyrtarizohet largimi përfundimtar nga Bashkimi Europian.

Sipas parashikimeve, qeveria e Boris Johnson do të arrijë të respektojë datën finale të largimit, 31 janarin e 2020.

Bashkë me ujdinë Brexit është aprovuar dhe një projektligj që ndalon shtyrjen e periudhës së tranzicionit përtej 2020, që garantonte divorcin nga BE por lejonte Britaninë e Madhe që të ndiqte disa rregulla të Unionit.