Politika Marrëveshje me Bashën për zgjedhje të parakohshme? Reagon Balla

Marrëveshje me Bashën për zgjedhje të parakohshme? Reagon Balla

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar sot për deklaratën e kryedemokratit Lulzim Basha për një marrëveshje për zgjedhje të parakohshme.

“Lulzim Basha paska “konfirmuar” marrëveshje për zgjedhje të parakohshme! Mbase kjo i vlen si një fantazi e re për të mbajtur ca muaj të tjerë me oksigjen simotrën dhe sivëllezërit e aleancës jashtëparlamentare dhe e mirekuptojmë. Por zgjedhjet e parakohshme nuk janë temë e dialogut me atë aleancë, dmth as me Lulzim Bashën”, sqaron Balla.

“Ndërkohë, i kujtojmë Lulzim Bashës se Kodi Zgjedhor miratohet me 84 vota që Partia Socialiste nuk i ka! Prandaj ai bën mirë të mos i fyejë e ofendojë deputetët që janë në Kuvend me firmën e tij dhe të paraardhësit të Monika Kryemadhit. Sepse jo për gjë, po nesër do të duhet edhe vota e tyre për të mbështetur dhe konfirmuar rezultatet e dialogut që po zhvillojmë dhe Lulzim Basha bën mirë të mos i provokojë në dëm të reformës”, shton Balla.

“Sqaroj se e dhashë unë këtë përgjigje, sepse Kryetari Rama është plotësisht i angazhuar me Rindërtimin dhe angazhimet e tjera të mëdha si Kryeministër dhe si Kryetar i OSBE gjatë vitit 2020. Prandaj as nuk merret asnjë minutë dhe as nuk mund të prononcohet për çështjet që lidhen me bashkëpunimet apo ndërveprimet partiake. Kjo vlen për këtë herë dhe për të gjitha herët kur partia do të reagojë politikisht ndaj PD-së ose Lulzim Bashës lidhur me Reformën Zgjedhore, ndërkohë ecuria e dialogut me përfaqësuesit e PD i është besuar unanimisht përfaqësuesit tonë Damian Gjiknuri”, mbyll reagimin e tij Taulant Balla.