Aktualitet Marrëveshje me Universitetin Politeknik, Balluku: Fushat ku do bashkëpunojmë

Marrëveshje me Universitetin Politeknik, Balluku: Fushat ku do bashkëpunojmë

| Nga American Eye
Shpërndaje

Në kuadër të Paktit për Universitetin, është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe fakulteteve të Universitetit Politeknik të Tiranës.

Marrëveshja parashikon shtrirjen e bashkëpunimit në disa fusha, atë të punësimit të studentëve të ekselencës dhe krijimit të hapësirave për praktikat mësimore, kërkimeve shkencore, ekspertizës dhe konsulencës.

Tashmë 32 studentë të ekselencës janë pjesë e administratës së MIE dhe institucioneve të varësisë, ndërsa 240 studentë në vit do të kenë mundësinë të kryejnë praktika mësimore pranë MIE dhe institucioneve të varësisë.

Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke ju uruar mirëseardhjen studentëve të cilët tashmë janë pjesë e administratës së MIE-së u shpreh se bashkëpunimi do të thellohet edhe sa i takon kërkimeve shkencore, ekspertizës dhe konsulencës.

“Ne e konsiderojmë Universitetin Politeknik të Tiranës, dhe Fakultetet të cilat do jenë në partneritet me ministrinë tonë, si një partner strategjik për kërkimet shkencore, për mbështetje me punonjës të rinj nga studentët e ekselencës, për oponencat që ne kemi nevojë në të gjithë sektorët, duke qenë se jemi një ministri multisektoriale”, tha Balluku.

Ministrja theksoi se bashkëpunimi do të jetë dinamik dhe do të shtrihet edhe përtej asaj se çfarë parashikon “Pakti për Universitetin”.

“Ky është një bashkëpunim i cili do vazhdojë në vite por dhe do jetë një bashkëpunim dinamik që nuk do mbetet në vetëm çfarë ne kemi vendosur në Paktin për Universitetet por do të ndryshojë sipas nevojave dhe sipas kërkesave që të dy institucionet, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, do të kenë në të ardhmen”, u shpreh Balluku.

Dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, Florian Nepravishta ka vlerësuar arritjen e kësaj marrëveshjeje, e cila do të ketë përfitime për të dy institucionet.

“Shprehemi të gatshëm që të japim dhe ne si Universitet atë kontribut që duhet të jepnim për zhvillimin e vendit duke mbështetur ministrinë me gjithë ekspertizën që ne kemi,duke krijuar atë marrëdhënie e cila do të ketë një fitim reciprok”, tha Nepravishta.

Nga ana e tij, dekani i Fakultetit të Gjeologjisë, Vasil Jorgji ka falënderuar ministren Balluku për marrëveshjen e arritur dhe ka shprehur gatishmërinë për ta zgjeruar edhe më tej atë.

“Ne do ta thellojmë këtë bashkëpunim, por përmes kësaj marrëveshjeje kemi hedhur shinat, të cilat do të na orientojnë edhe për ta zgjeruar bashkëpunimin përtej këtyre pikave që ne kemi parashikuar këtu”, u shpreh Jorgji.

Patronazhimi i MIE mbulon tre fakultete, Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, Fakultetin e Gjeologjisë dhe Fakultetin e Ndërtimit, por po vlerësohet zgjerimi i këtij partneriteti edhe me fakultete të tjera të Universitetit Politeknin, çka është diskutuar gjerësisht mes ministres Balluku dhe rektorit Andrea Maliqari.