Aktualitet Matura Shtetërore/ “Përjashtim nga provimi për një vit për nxënësit që kapen...

Matura Shtetërore/ “Përjashtim nga provimi për një vit për nxënësit që kapen me celular”

Disa javë para nisjes së procesit të konkurrimit për të gjithë maturantët që përfundojnë gjimnazin, për dhënien e provimeve të “Matura Shtetërore”, Ministria e Arsimit njofton shtrëngimin e rregullave për të gjithë maturantët. MASR iu bën me dije të gjithë maturantëve se paraqitja me telefon në provim, apo gjetja e tij gjatë testit, sjell përjashtimin e maturantit për një vit nga të gjitha provimet e Maturës Shtetërore.

“Për Maturën Shtetërore janë shtuar edhe masat disiplinore: paraqitja e maturantit në qendrën e provimit dhe/ose konstatimi gjatë tij me celular sjell përjashtim direkt nga të gjitha provimet e maturës dhe e detyron t’i japë ato pas një viti. MaturaShtetërore2020”, shkruan ministrja e Arsimit, Besa Shahini.

Më tej, MASR gjithashtu jep detaje për mënyrën e monitorimit të testeve që do të plotësohen maturantët. Përveç punonjësve të Ministrisë në provime, monitorues do të jenë edhe praktikantët e mësuesisë.

“Përveç oficerëve të sigurisë, punonjësve të MASR dhe institucioneve të varësisë, administratorë provimi këtë vit në Maturën Shtetërore do të jenë edhe praktikantët e mësuesisë, të cilët nuk janë as të fushës për të cilin zhvillohet provimi dhe nuk e administrojnë provimin në qytetin ku kanë zhvilluar praktikën”, shkruan MASR,ndërsa më herët, jepet lajmi se provimet do të vlerësohen në mënyrë elektronike.

“Vlerësimi elektronik i provimeve të Maturës Shtetërore do të rrisë standardet e cilësisë, minimizojë gabimet njerëzore, shtojë transparencën, si dhe do të jetë një kontribut me vlerë në procesin e analizës së performancës së maturantëve”, njofton ministria.