Kuriozitete Mbetet 27 orë e bllokuar në ashensor, shpëton nga vapa duke pirë...

Mbetet 27 orë e bllokuar në ashensor, shpëton nga vapa duke pirë verë

Një gotë me verë të zgjat jetën, thonë italianët. Por që një gjë të tillë mund ta bënte edhe një kasë e tërë me shishe, kjo nuk ishte e dëgjuar më parë.

Por është pikërisht kjo eksperienca e një zonje italiane në Padova që teksa po çonte shishet në bodrumin e saj, mbeti e mbyllur në ashensor. Të kota ishin britmat, komshinjtë ndoshta ishin tashmë nëpër plazhe dhe celulari ndodhej në çantën e saj në shtëpi.

Një situatë e pakëndshme por që mund të shndërrohet në ferr me temperaturat e këtyre ditëve. Zonja kishte vetëm një mënyrë për mos t’u dehidratuar, pirja e verës që kishte me vete. Në këtë mënyrë zonja rezistoi plot 27 orë, deri sa e bija që jetonte afër, e alarmuar nga mos përgjigja e të ëmës, kishte ardhur të kontrollonte.

Zjarrfikësit nxorën për pak minuta zonjën nga ashensori, dhe nuk u desh që të shkonte në urgjencë, pas një dushi freskues dhe një shishe të freskët…uji.