Numri i personave të cilët kanë humbur betejën e tyre me SARS Cov2 në Evropë ka tejkaluar këtë të diel shifrën 100 mijë, ndërsa në total në rang global, janë 162 mijë e 45 të vdekur.
Aktualisht, sëmundja infektive ka prekur 2 milionë e 361 mijë e 482 persona në mbarë botën, 607 mijë e 342 prej tyre kanë arritur të shërohen.
Italia, vatra e nxehtë e pandemisë së COVID-19 në Evropë, të hënën, hyri në javën e saj të 7-të të mbylljes. Mbrëmjen e sotme, zyrtarët e mbrojtjes civile përditësuan të dhënat e personave të prekur me koronavirusin e ri dhe atyre të fatkeqësisht kanë humbur betejën e tyre me sëmundjen infektive gjatë 24 orëve të fundit. Situata në vendin fqinj duket se po shkon drejt një përmirësimit.
Gjatë ditës së sotme raportohet për 433 viktima dhe 3.047 persona që kanë rezultuar pozitivë.
Numri total i viktimave nga nisja e pandemisë deri më sot ka arritur në 23.660 ndërsa ai i të infektuarve 178.972.
Ndërkohë që Spanja, një tjetër zonë e nxehtë e COVID-19 në Evropë, ka regjistruar gjatë 24 orëve të fundit, numrin më të ulët të viktimave, shifër që nuk ishte parë që nga data 22 marsi, kur nisi edhe shpërthimi i pandemisë. Autoritetet shëndetësore në vend raportuan këtë të diel për 410 viktima, në krahasim me 565 të një dite më parë, duke e çuar numrin total të atyre që kanë humbur jetën si pasojë e SARS Cov 2 në 20.453.
Në total në Spanjë janë 195.944 të infektuar, nga 191.726 që u regjistruan të shtunën.