Kryesore Mbi 1500 efektivë për mbarëvajtjen e protestës, zbardhet plani i policisë

Mbi 1500 efektivë për mbarëvajtjen e protestës, zbardhet plani i policisë

Mbi 1500 efektivë policie janë angazhuar gjatë ditës së sotme, për të garantuar mbarëvajtjen e protestës së opozitës së bashkuar.

Raportimet në ditët e mëparshme, se elementë kriminalë mund të përfshihen në protestë, për të krijuar destabilitet, kanë rritur angazhimin dhe gatishmërinë e forcave policore
Krahas policisë së rendit, në mbarëvajtjen e protestës do të angazhohen edhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ata të repartit Shqiponja.

Gjithashtu raportohet se në ndihmë të policisë së Tiranës, kanë ardhur edhe efektivë të shumtë nga policitë e rretheve.

Kordoni i parë që do të përballet me protestuesit, është ai i Policisë së Rendit, ndërsa është minimizuar prezanca e efektiveve femra në këtë radhë, për shkak të incidentit me Ina Nukën.

Anash dhe pas kryeministrisë, janë pozicionuar edhe efektivë të forcave RENEA, të cilët mund të ndërhyjnë vetëm me urdhër të Drejtorit të Policisë.

Gjithashtu, oficerë të antiterrorit do të kontrollojnë personat që dyshohen si elementë të rrezikshëm dhe punonjësit e Gardës së Republikës do të monitorojnë situatën me dylbi, nga tarracat e institucioneve.