Kryesore “Mbretëresha” rikthehet në fron, Teuta fiton titullin kampion pas 27 vitesh

“Mbretëresha” rikthehet në fron, Teuta fiton titullin kampion pas 27 vitesh

Teuta e Durrësit është kampione e Shqipërisë për herë të dytë në histori. Pas 1994-ës, “djemtë e detit” ia dolën të ngjiten në majën më të lartë të futbollit shqiptar, në një sezon të luftuar deri në fund dhe që u vendos vetëm nga diferenca e golave

Pas 27 vitesh, Teuta e Durrës arrin të fitojë titullin e dytë në futbollin shqiptar, pasi triumfoi në ndeshjen e fundit 6-1 ndaj Apolonisë, e cila kishte zyrtarizuar rënien nga kategoria.

Pjesa e parë u mbyll 2-1, por në 45 minutat e dyta fierakët u dorëzuan totalisht, pasi u ndëshkuan edhe me 2 kartonë në kuq.

Ndërkohë, fitorja 2-0 e Vllaznisë nuk i shërbeu shkodranëve për asgjë, madje e çoi Laçin jashtë Europa League.

Bylis-Partizani u mbyll 2-4 dhe ballshiotët zyrtarizuan rënien nga kategoria, pasi Kastrioti fitoi 2-1 ndaj Kukësit dhe tashmë krutanët do të ndeshen me Tomorin për një vend në elitën e futbollit shqiptar vitin e ardhshëm. Tirana-Skënderbeu u mbyll 3-1 për bardheblutë.

Sekretet e suksesit

Në një duel mes katër ekipeve deri në javën e fundit edhe pse dy prej tyre vetëm matematikisht, Teuta arriti t’i rezistojë presionit të tabelës. Një sukses i Martinit në stol, që në vitin më të rëndësishëm të karrierës së tij u detyrua të luftojë dhe kundër zemrës dhe Vllaznisë.

Një sukses padyshim i Dejvi Bregut, blerjes më të rëndësishme të verës së shkuar, që me golat dhe “Këpucën e Artë” përligji investimin duke hyrë përfundimisht në historinë e këtij klubi. Triumfi i dinastisë Vila, me Emiljanon dhe Lorencon, por dhe merita e një mbrojtjeje “dryn” falë Rustem Hoxhës dhe Renato Arapit.

Mbi të gjitha ishte suksesi i një presidenti karizmatik si Hasanbelliu, por dhe atyre që e mbështetën në kërkim të një titulli që dukej i pamundur dhe që vetëm ata e panë në horizont.

Në një prej sezoneve më të luftuar në historinë e Superiores, Teuta ia doli, të rikthehet në fron, të fitojë Superioren dhe të rrëmbejë në fund titullin e kampionatit, që ashtu si 27 vjet më parë, u fitua javë pas jave, duke mos u dorëzuar asnjëherë deri në fund, për suksesin në fotofinish. Teuta nga tani e mbrapa do të njihet dhe njëherë si “mbretëresha” e Shqipërisë.

Sezonin e ardhshëm, Shqipëria do të përfaqësohet në kupat e Europës me Teutën në Champions dhe Vllaznia e Partizani në Europa League.