Bota Mbyllet raundi i parë i bisedimeve Kurti-Vuçiç, vëmendjen e merr tryeza plot...

Mbyllet raundi i parë i bisedimeve Kurti-Vuçiç, vëmendjen e merr tryeza plot me Coca Cola dhe hamburger

Raundi i parë i bisedimeve mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka përfunduar.

Takimi u realizua me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe të dërguari të posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak.

Në ndërtesën e BE-së ku po zhvillohet dialogu ka mbërritur edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Pala amerikane edhe pse nuk merr pjesë në dialog, mbështet plotësisht përpjekjet e Bashkimit Evropian në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Por vëmendjen e takimit e kanë marrë sasia e madhe e pijeve të markës Coca Cola dhe e hamburgerëve në tryezën e negociatave mes palëve.

“Dialog fals me pije false”, “BE duhet të hapë një zinxhir fast fudi” ishin ndër komentet që vërshuan menjëherë në rrjete sociale.

Edhe Bashkimi Europian duket se ishte i papërgatitur për këtë rikthim të dialogut, pasi kishte lënë pa përditësuar të dhënat për liderët. Shërbimi audiovizual “EBS” në njoftimet për transmetimet e drejtpërdrejta, Albin Kurtin, e emërtoi si lider të opozitës në Kosovë.

Sakaq, mediat e Serbisë kanë komentuar gjuhën e trupit të pjesëmarrësve. “Kurti i qetë dhe i buzëqeshur, ndërsa Vuçiç si në funeral”, ishte titulli i medias Klix.

Ditën e djeshme, Kurti dhe Vuçiç patën takime të ndara në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në konferencën për shtyp, Kurti u shpreh se nuk do të tërhiqet nga reciprociteti, ndërsa Stoltenberg deklaroi pas takimit me Vuçiçin, se KFOR-i është gati të ndërhyje nëse rrezikohet siguria në veri të Kosovës.