Aktualitet Me 15 pako drogë çokollatë nga Tirana drejt Tropojës, prangoset shoferi i...

Me 15 pako drogë çokollatë nga Tirana drejt Tropojës, prangoset shoferi i autobusit

Finalizohet operacioni policor i koduar “Linja” ku është prangosur një 43-vjeçar me drogë të llojit çokollatë.

Droga po transportohej nga Tirana në drejtim të Tropojës, me autobus, ndërsa janë sekuestruar 15 pako me kanabis në formë çokollate

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Linja”. Gjatë këtij operacioni, në Kurbin, shërbimet e Policisë kanë ndaluar autobusin, ku dyshohej se ishte lënda narkotike dhe pas kontrollit në pjesën e bagazheve, në këtë autobus, është gjetur një çantë, brenda së cilës kishte 15 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e përpunuar si çokollatë, të cilat pas peshimit rezultuan rreth 3.1 kilogramë. Në përfundim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shoferi i autobusit, shtetasi A. I. 43 vjeç, banues në Tropojë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” – njofton policia.

Vijon puna hetimore nga ana e strukturave të Policisë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme.