Interi ka sulmuesin e tij të ri, Romelu Lukaku. Mungon vetëm prezantimi i belgut, që ka zbarkuar në Milano, pas marrëveshjes së dy klubeve për anën financiare. Merr fund kjo “telenovelë”, përplot me kthesa, që gjithashtu pa Juventusin si protagonist. Bardhezinjtë konsiderohen si një destinacion i besueshëm për “tepricën e madhe” të zikaltërve, ish-kapitenin Mauro Icardi. Argjentinasi, me ardhjen e Lukakut, nuk ka asnjë shans në projektin e Steven Zhang dhe Antonio Conte.
Mbeten edhe 25 ditë para përfundimit të merkatos verore në Itali, një periudhë në të cilën bardhezinjtë do të provojnë sulmin për ta marrë sulmuesin argjentinas. Sidoqoftë, për këtë, një strategji e qartë pritjeje është vendosur në horizont nga palët. Kuptohet, nga Juventusi dhe vetë futbollisti, jo nga Interi. “Il Corriere della Sera” zbulon një sfond deri diku “dramatik” për zikaltrit. Në fillim të qershorit, Fabio Paratici ka kontaktuar me Wanda Nara për t’i thënë asaj që t’i refuzojë të gjitha ofertat për burrin e saj deri në ditët e fundit të gushtit, në mënyrë që të ulet çmimi i vendosur nga Interi nga 70 në 40 milionë euro.
Në atë pikë, Juventusi do të vepronte në pozita të forta, i vetëdijshëm për nevojën e milanezëve, që duhet të hiqnin dorë nga ish-kapiteni i tyre, me kaq pak kohë në dispozicion. Nëse Icardi mbetet tek Interi deri në atë kohë, ekziston mundësia që ai të përjashtohet nga lista e UEFA-s për Ligën e Kampionëve, siç raportohet nga “Tuttosport”. Për të mos lejuar që lojtari të përdorë nenin 15 të FIFA-s (ndërprerja e kontratës për një kauzë të drejtë), Interi do t’i jepte mundësinë të luante 10% të garave sezonale. Sidoqoftë, ky është akoma një skenar mjaft i parakohshëm.