Aktualitet Me kapuç dhe thikë po priste pas derës viktimën, arrestohet nga policia

Me kapuç dhe thikë po priste pas derës viktimën, arrestohet nga policia

Policia e Lushnjës ka vënë në pranga një person në Lushnje këtë të martë, duke parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale.

Policia bën të ditur se pas njoftimit të marrë nga qytetarët, se në një pallat në lagjen “Çlirimi”, ndodhej një person i maskuar me kapuç, menjëherë shkuan në vendngjarje dhe përpara derës së shtetases A. B., 50 vjeçe, konstatuan shtetasin E. E., të maskuar, me kapuç në kokë.

Gjatë kontrollit personal, këtij shtetasi iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë e ftohtë(thikë) dhe një palë dylbi.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin E. E., 63 vjeç, banues në Krujë, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga hetimet paraprake, dyshohet se shtetasja A. B., i kishte marrë hua një sasi parash shtetasit E. E.