3.7 milionë euro pasuri janë sekuestruar nga Policia e Tiranës. Uniformat blu njoftuan këtë të hënë se pasuritë janë në pronësi të dy vëllezërve, të dy me rekorde të theksuara kriminale. Sipas Tv Klan, bëhet fjalë për Shkëlzen Hoxhën, 43 vjeç dhe Edmond Hoxhën, 42 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Hetimi ndaj tyre kishte nisur në vitin 2019, nga Prokuroria e Tiranës për “pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”. Pas hetimeve u zhvillua operacioni i koduar “Investimi”, ku u bë e mundur që të sekuestrohen asete dhe llogari bankare në shumën e 3.700.000 euro.
Më konkretisht atyre u janë sekuestruar 4 apartamente në Tiranë, 2 apartamente në Sarandë, 1 ambient biznesi trekatësh në Laprakë; 1 njësi tregtare, 1 palestër, 7 garazhe dhe dy aktivitete biznesi në Tiranë; 4 automjete BMW X5 dhe llogari bankare në Euro, USD dhe Lekë dhe gjendjen aktuale në këto llogari në tri banka të nivelit të dytë.
Policia thotë se në bashkëpunim me prokurorinë po punon për të identifikuar prona të tjera që rrjedhin nga aktiviteti kriminal i dy vëllezërve që mund të jenë fshehur në emër të personave të tjerë.
Mësohet se 43-vjeçari Shkëlzen Hoxha ka rekorde kriminale në Belgjikë. Policia shqiptare ka njoftuar se ai ka kryer një vrasje atje para disa vitesh. Në vitin 2009, të dy vëllezërit Hoxha dhe 4 persona të tjerë janë arrestuar nga Policia Gjyqësore Federale në Gent, Belgjikë, si pjesëtarë të një grupi kriminal, për veprat penale “Trafikimi i grave për prostitucion” dhe “Substancat narkotike”.
Rekorde kriminale në Belgjikë ka edhe Edmond Hoxha. Ai ka qenë i përfshirë në hetime nga Prokuroria e Gentit/Belgjikë në dosjen “GIRANA” të vitit 2008, për veprat penale “Trafikim i qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimi për prostitucion” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”.
Në këtë dosje Hoxha ka qenë i dyshuari kryesor dhe është arrestuar në Belgjikë, në datën 02 Shkurt 2009. Rezulton se 42-vjeçari ka qenë i burgosur nga viti 2002 deri në 2009-n për trafik dhe shfrytëzim prostitucioni.