Kryesore Merkel: Kina duhet të bëjë transparencë për koronavirusin

Merkel: Kina duhet të bëjë transparencë për koronavirusin

Kancelarja gjermane Angela Mekel i ka kërkuar Kinës transparencë të plotë në lidhje me origjinën e koronavirusit.

Në një dalje publike për gazetarët në Berlin, Merkel tha: “Besoj se sa më shumë transparente të jetë qeveria kineze për origjinën e virusit, aq më mirë do të jetë për të gjithë botën, në mënyrë që të mësojë prej tij”.

Merkel i shtohet kështu listës së liderëve botërorë që kanë hedhur dyshime për mënyrën se si e ka trajtuar Kina koronavirusin dhe përhapjen e tij.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë paralajmëroi Kinën se do të vuante pasoja të rënda nëse ka mashtruar lidhur me origjinën e koronavirusit. Ndërsa Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se tashmë “duket qartë që kanë ndodhur gjëra për të cilat qeveritë e vendeve të tjera nuk janë në dijeni”.

Zyrtarisht Kina ka bërë të ditur se koronavirusi e pati origjinën në një treg peshku në qytetin Wuhan të provincës Hubei, por kohët e fundit ka qarkulluar edhe ideja se virusi ka dalë nga një laborator që ndodhet pikërisht në Wuhan.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se për këtë ka nisur edhe një hetim. “Qeveria kineze duhet të dalë hapur, duhet të mbajë përgjegjësi. Duhet të shpjegojë çfarë ndodhi dhe si ndodhi që informacioni nuk u bë publik. Mund t’i kishim bërë gjërat ndryshe, bota mund të ishte përgjigjur më shpejt. Me thënë të drejtën, as organizatat ndërkombëtare shëndetësore nuk na bënë asnjë nder, për të përhapur këtë informacion të plotë dhe me transparencë”, u shpreh ai në një intervistë për mediat amerikane pak ditë më parë.