Shëndet Merret vendimi: Medikamenti “Oki” nuk do të shitet më pa recetë

Merret vendimi: Medikamenti “Oki” nuk do të shitet më pa recetë

Agjencia Kombëtare e Barnave dhe e Pajisjeve Mjekësore ka marrë vendimin që një nga barnat më të përdorura për dhimbjet e kokës, “Oki”, të mos shitet më pa recetë.

“Oki” (80mg) nuk do të shitet më në asnjë farmaci pa recetë, përveç  tretësirës “Oki task” (40mg), që do të vijojë të shitet me bustina.

Lidhur me vendimin, agjencia nuk dha asnjë shpjegim, ndërsa farmacistët e pyetur janë të mendimin se kjo masë është ndërmarrë për arsye të përdorimit pa kriter të këtij medikamenti, që sjell edhe komplikacione shëndetësore.

“Oki” është një ndër barnat më të lira dhe më të përdoruara nga shqiptarët, që mundëson lehtësimin e dhimbjeve, por nuk kuron problemin në gjenezë. Ky ilaç rekomandohet të përdoret kur është e nevojshme, një sasi jo më shumë se 100-200 mg në ditë.

Nga ana tjetër, “Oki” nuk këshillohet të përdoret nga personat që vuajnë nga astma,ulcera, veshkat, nga fëmijët nën moshën 15 vjeç, si edhe gratë shtatzëna.