Kryesore Meta merr kohë për emërimin e 4 ministrave dhe shkarkimin e Bushatit

Meta merr kohë për emërimin e 4 ministrave dhe shkarkimin e Bushatit

Një ditë pasi Kryeministri Edi Rama dërgoi në Presidencë kërkesat për dekretimin e ministrave të rinj të qeverisë, kreu i shtetit Ilir Meta sot ka dekretuar shkarkimin nga detyra të 6 ministrave nga 7 të tillë.

Konkretisht, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, ministri i Bujqësisë Niko Peleshi, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri, ministri i Financave Arben Ahmetaj dhe ministrja e shtetit për sipërmarrjen, Sonila Qato janë liruar nga detyra.

Ajo që bie në sy është mosdekretimi për shkarkim ende i ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, në vend të të cilit Kryeministri Edi Rama ka propozuar Gent Cakën nga Kosova.

Po kështu, pavarësisht dekretimit për shkarkimin e ministres Lindita Nikolla, Presidenti Meta nuk ka dekretuar ende emërimin në detyrë të Besa Shahinit, që aktualisht është zv/ministre e Arsimit, edhe kjo nga Kosova.

Pa u dekretuar si ministra të rinj janë edhe Anila Denaj në vend të Arben Ahmetajt, Belinda Balluku në vend të Damian Gjiknurit dhe Elva Margariti në vend të Mirela Kumbaros.

Por burime nga Presidenca thanë për Tv Klan se kreu i shtetit është brenda afatit për të bërë dekretimet e nevojshme, pasi kërkesat nga Kryeministria për ndryshimet në qeveri mbërritën në zyrën e Metës mbrëmjen e së premtes.

Kjo do të thotë, që sipas Kushtetutës, Presidenti Ilir Meta ka 7 ditë afat për dekretimet e mbetura.

Ndërkohë, Meta dekretoi shkarkimin e zv/Kryeministres Senida Mesi dhe emërimin në vend të saj të Erion Braçes. Eduard Shalsi u dekretua si ministër për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Bledi Çuçi si ministër i Bujqësisë dhe Elisa Spiropali si ministre e shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.