Kryesore Meta: Vendimi për prishjen e Teatrit, veprimtari e mirëstrukturuar kriminale

Meta: Vendimi për prishjen e Teatrit, veprimtari e mirëstrukturuar kriminale

Presidenti Ilir Meta bëri apel për të qenë të përgjegjshëm për të mbrojtur trashëgiminë historike dhe kulturore të vendit. Gjatë një komunikimi me mediat nga Kavaja, kreu i shtetit, tha se çdo humbje e kësaj trashëgimie është e parikuperueshme dhe cënim i identitetit kombëtar dhe kulturor.

Meta u pyet nga gazetarët rreth vendimit të Këshillit Bashkiak për të prishur godinën e Teatrit Kombëtar, ndërsa u shpreh se atë e mbron Kushtetuta.

“Teatrin e mbron më mirë se kushdo tjetër Kushtetuta dhe Konventat ndërkombëtare ku Shqipëria aderon dhe prevalojnë mbi çdo akt tjetër. Më duket një marrëzi e jashtëzakonshme çdo përpjekje për të prishur teatrin pa shteruar rrugën Kushtetuese dhe ligjore të kësaj çështje që ka marrë një dimension të qartë ndërkombëtar dhe europian”, tha Meta.

Ai citoi edhe reagimin e eurokomisioneren për kulturën, Mariya Gabriel, e cila bëri thirrje për dialog. Ndërkohë vendimin për prishjen e Teatrit Kombëtar ai e konsideroi si një veprimtari të mirëstrukturuar kriminale.

“Nuk është se kam diçka të re nga 24 orët e mëparshme kur dola para jush për të sqaruar arsyet e padisë së re në Gjykatë Kushtetuese, por ende nuk mund të besoj disa akte, një pjesë të cilat janë denoncuar edhe në institucionin e Prokurorisë, pasi më duket një papërgjegjshmëri përtej çdo ekstremi dhe përtej çdo llogarie sepse nuk kemi të bëjmë thjesht me një shkelje të Kushtetutës, shkelje të ligjeve, nuk kemi të bëjmë thjesht me përgjegjësi penale të personave që do të përfshiheshin në shkatërrimin e TK, por aktet e bëra publike në 24 orë, flasin në mënyrë të qartë  për një veprimtari të mirëstrukturuar kriminale që do të ishte paamnistueshme në çdo kohë.

Në këtë situatë ende  pandemie në vend që të merremi me menaxhimin edhe më transparent të saj dhe me përballimin e pandemisë ekonomike, nuk mund të bëjmë një marrëzi të tillë, të tentojmë ti vemë kazmën TK që do të ishte e barazvlefshme për ti vënë kazmën përpjekjeve tona për të ecur me Maqedoninë për rrugën europiane, gjithashtu do të ishte një provokim për paqe sociale në vend hpresoj të ketë ende reflektim dhe aktet që kam parë në media  të mos jenë të vërteta”, tha Meta.

Ditën e djeshme, Presidenti Meta dërgoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë që ia kaloi truallin e godinës së Teatrit Kombëtar Bashkisë së Tiranës.

Pavarësisht kësaj, gjatë pasdites, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi vendimin që i jep dritën jeshile prishjes së teatrit. Por ky vendim sipas Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar është në kundërshtim me ligjin. Për këtë, ata kanë paditur në Prokurorinë e Tiranës, tre inxhinierë të Institutit të Ndërtimit këtë të premte.

Sipas, aktivistëve inxhinierët kanë shpërdoruar detyrën pasi nuk janë paraqitur në godinë për të kryer akt-ekspertimin. Për pasojë sipas tyre edhe vendimi i Këshillit Bashkiak është i paligjshëm.