Sport Milan vazhdon të fluturojë: Asfalton Leccen dhe blindon vendin e dytë

Milan vazhdon të fluturojë: Asfalton Leccen dhe blindon vendin e dytë

Milani kalon pa probleme edhe Leccen duke regjistruar fitoren e katërt radhazi në Serie A dhe të shtatën në total.

Kuqezinjtë triumfuan 3-0 në “San Siro”, dhe për momentin distanca me Interin kryesues është 11 pikë, duke blinduar vendin e dytë.

Christian Pulisic zhbllokoi takimin falë një goli shumë të bukur në minutën e gjashtë. Amerikani është ngjitur në kuotën e 10 golave në kampionat.

Në minutën e 20’ erdhi edhe dyfishimi për vendasit. Krosim i Theo Hernandez dhe finalizim me kokë nga Oliver Giroud. Lecce mbeti me dhjetë lojtarë në fundin e pjesës së parë pas daljes me të kuq të malazezit Krstovic.

Për të mbyllur llogaritë mendoi Rafa Leao (57’), i cili shënoi pas vertikalizimit të bukur të Adli. Ylber Ramadani e zhvilloi të plotë sfidën për ekipin nga Salento, ndërkohë që 12 minuta përpara fundit u fut në fushë edhe Medon Berisha.