Miliarderët nga Azia tashmë udhëheqin grupin e individëve më të pasur në botë. Të udhëhequr nga Kina, numri i miliarderëve nga ky rajon kaloi atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për herë të parë.
Tre të katërt e miliarderëve të rinj botërorë vijnë nga Kina ose India. Numri i miliarderëve nga Azia u shtua me 117, duke arritur 637, ndërsa vihet re se ata që arritën të bëhen vetë miliarderë shtuan pasurinë më shpejt se sa ata që e trashëguan nga familja. Ndërkohë, miliarderët nga SHBA u rritën me 25, për një total prej 563 individësh.
Megjithatë duhet thënë se më të pasurit e Amerikës kontrollojnë ende shumicën e pasurisë, ose 2753 miliardë dollarë.
Zhvillimi dhe zgjerimi ekonomik i Azisë, mesatarisht, shënoi lindjen e një miliarderi të ri çdo dy ditë. Nëse ky ritëm do të vazhdojë, Azia do ta tejkalojë SHBA-në në katër vjet edhe për përqendrimin më të madh të pasurisë.
Të dhënat vijnë nga banka zvicerane UBS, e cila informacionet e rreth 1550 miliarderëve.
“Një kombinim i stabilitetit gjeopolitik në Kinë, ngritja e çmimeve të tregut të pasurive të paluajtshme, shpenzimet për infrastrukturë, shtresa e mesme në rritje dhe çmimet optimiste të komoditeteve, të gjitha së bashku do të nxisin pasurinë”, thotë raporti.
Sa i takon të pasurve nga Europa, ky numër qëndroi fiks në 342, pjesërisht për shkak të vdekjeve dhe sepse kompanitë inovative e kanë të vështirë të bëjnë biznes në Europë, për shkak të kulturës konservatore të biznesit dhe rregullave strikte.