Aktualitet Miliona euro drogë nga Siria në Shqipëri e më pas në BE,...

Miliona euro drogë nga Siria në Shqipëri e më pas në BE, SPAK çon për gjykim 21 trafikantë

Një grup i strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të rënda nga Lindja e Mesme drejt Bashkimit Europian është shkatërruar, duke çuar në hetim 21 persona. Pas hetimeve disa mujore, SPAK ka rritur që të çojë përpara drejtësisë si të pandehur, Endrit Bakiun, Sulo Pajon, Artur Sulajn, Arian Tolën, Fadjon Camin, Viron Lekajn, Artan Agalliun, Shpëtim Pjeshkën, Jani Çavon, Sonila Sulën, Kudret Rustemajn, Besnik Ruçin, Pirro Capin, Jani Meçjën, Edmond Kabashin, Tomi Hilëb, Leonard Nergjonib, Artin Kurtib, Astrit Miskën dhe Ervis Cilën.

Skema si funksiononte grupi

Nga hetimi është dokumentuar veprimtaria e këtij grupi, i cili e shtrinte aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike nga  vendet e Lindjes së Mesme, Turqi, Greqi, Shqipëri me destinacion Italinë dhe vendet e tjera të BE-së. Gjatë hetimeve të kryera janë dokumentuar linjat e trafikimit të lëndëve narkotike dhe personat e përfshirë në këtë grup të strukturuar kriminal si në Shqipëri, ashtu dhe në Itali e vende të tjera. Veprimtaria kriminale e këtij grupi është zhvilluar për periudhën kohore nga viti 2020 e në vazhdim ku është bërë e mundur sekuestrimi i sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike në Durrës, Tiranë, Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Maqedoninë e Veriut, në Greqi dhe  Itali, në tetë episode trafikimi të lëndëve narkotike të llojit “Kokainë”,“Heroinë”,“Marijuanë”, “Risinë”, e cila është  siguruar në Siri, Turqi dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme, më pas është trafikuar në Greqi, Shqipëri me destinacion Italinë dhe vendet e BE-së. Gjatë këtij hetimi janë sekuestruar në 8 episode lëndë narkotike të llojit “Kokainë”, “Heroinë”, “Marijuanë”, “Risinë”, “Canabis Sativa”, me një vlerë të përafërt rreth 2 700 000 euro, si dhe automjete, pajisje kompjuterike, aparate celular dhe vlera monetare.

I përfshirë edhe një punonjës policie

Referuar njoftimit të SPAK, gjatë hetimit është dokumentuar edhe një rast korruptiv i një punonjësi të policisë së shtetit, i cili kundrejt përfitimit të parregullt ka ndihmuar pjesëtarët e këtij grupi kriminal. Bëhet fjalë për Mirash Gjoni, ish punonjës policie ne Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër është akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.

Akuzat

Ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal, rëndojnë akuzat për veprat  penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. Ky hetim penal është kryer në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore midis Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Republikës pranë Gjykatës së Firences, Itali, me koordinimin e Eurojust dhe Europol.