Albin Kurti ka kritikuar takimet e shpeshta trepalëshe mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe përpjekjet për krijimin e Mini-Shengenit Ballkanik. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje thekson se ky është një veprim i nxituar, ndërsa nënvizon se projekte të tilla, Shqipëria duhej t’i niste me Kosovën dhe jo me Serbinë.
“Një lloj vrapi në Novi Sad dhe në Shkup, është gabim në hapa. Nuk nis me Serbinë kjo punë. Nis Kosovë-Shqipëri, vazhdon Kroaci-Bullgari, vazhdon Sarajevë zyrtare, Podgoricë zyrtare, Shkup zyrtar e Beogradi në fund. Sepse i tillë çfarë është ai i pa penduar për luftërat dhe krimet e shkaktuara në luftim të vazhdueshëm me Moskën e Putinit nuk mund të ketë. Rrjedhimisht mendoj që edhe mbledhja e Novi Sadit edhe mbledhja e Ohrit ishin gabim në hapa”, deklaroi kreu i Vetëvendosjes.
Ai vijon me kritikat ndaj ekzekutivit shqiptar, duke theksuar se Tirana duhej të priste krijimin e qeverisë në Prishtinë. “Shqipëria zyrtare u ankua se nuk ka pasur qeveri të denjë në Kosovë, për bashkëpunim çfarë ajo ka dashur, e ka qenë e nevojshme për të gjithë neve. Meqenëse ka pritur Shqipëria zyrtare për një qeveri të denjë të Kosovës shumë vjet, ka mundur të pres edhe pak javë që të formohet kjo qeveri, e të bashkëpunojmë siç dum të gjithë ne”.
Ndër të tjera, Kurti njoftoi se Vetëvendosje dhe LDK kanë harmonizuar pjesën më të madhe të programit qeverisës dhe se në vijim do të takohen për të folur përndarjen e posteve ministrore.