Politika Meta dekreton Marsida Xhaferllarin gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese

Meta dekreton Marsida Xhaferllarin gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese

Dy anëtarë për një vend në Gjykatën Kushtetuese. Arta Vorpsi, nga lista e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që kaloi automatikisht nga pikëzimi, dhe Marsida Xhaferllari, e cila ka marrë firmën e Ilir Metës.

Me t’u kthyer nga Parisi, kreu i Shtetit ka firmosur në zyrën e tij dekretin për të dërguar ne Gjykatën Kushtetuese Xhaferllarin, e cila ishte renditur e katërta në listën e KED.

Dekreti i Presidentit Meta

“Në mbështetje të neneve 93, 125 pikat 1 e 3, 129, 149/d pika 1, 179 pikat 2 e 12, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, 8 dhe 86 pika 4, shkronja “c” të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, pasi administrova “Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese (vakancë e plotë) e shpallur nga Presidenti i Republikës me dekretin nr. 11133, datë 04.03.2019”, akte këto të miratuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me vendimet nr.132, datë 21.09.2019 dhe 133, datë 21.09.2019; pasi u njoha me të gjithë praktikën dokumentare të vendimmarrjes dhe vlerësimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për kandidatët e ngelur në garë për plotësimin e kësaj vakance, përcjellë fillimisht nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me shkresën nr. 553 prot., datë 08.10.2019 dhe plotësuar përfundimisht me shkresën e këtij organi me nr.714 prot, datë 07.11.2019; si dhe pasi vlerësova kandidatët e ngelur në garë për plotësimin e kësaj vakance, pas zgjedhjes nga Kuvendi në datën 11.11.2019, të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim vendosa të, dekretoj; Zonja Marsida Xhaferllari emërohet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese”

Dublimi i kësaj vakance me dy emërime, një nga KED dhe një nga Presidenti, sjell një tjetër ngërç institucional në kthimin në funksion të Gjykatës Kushtetuese.