Bota Ministrat serbë zemërohen nga deklarata e Zaev për nacionalizmin

Ministrat serbë zemërohen nga deklarata e Zaev për nacionalizmin

Ministrat e qeverisë serbe kanë kritikuar liderin e opozitës maqedonase, Zoran Zaev i cili tha se lidershipi i Serbisë ishte nacionalist, duke e akuzuar atë se i merr udhrat nga Shqipëria.

“Serbia është nën udhëheqjen nacionaliste të Aleksandër Vuçiçit, i cili e promovoi veten si një udhëheqës rajonal, por sapo u kërcënua karriera e tij politike, i zbuloi pozicionet e tij nacionaliste”, tha Zaev për gazetën serbe Kurir të mërkurën.

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç e përshkroi deklaratën e tij si një “sulm brutal dhe skandaloz” ndaj kryeministrit Vuçiç dhe qeverisë së tij.

“Pse Zaev sulmoi Vuçiçin në vend të [kryeministrit shqiptar] Edi Rama dhe [presidentit të Kosovës Hashim] Thaçi?” pyeti ai.

“Ai e di se koncepti i Shqipërisë Etnike nuk është i plotë pa [kryeqytetin maqedonas] Shkupin,” tha Daçiç në një deklaratë për Tanjug, agjencinë shtetërore të lajmeve në Serbi.

Ministri serb i punës Aleksandar Vulin ndërkaq pyeti nëse “sulmi” i Zaev ndaj Vuçiçit ishte ideja e tij, ose nëse ishte “udhëzuar nga Rama, Thaçi ose [kryetari i parlamentit] Talat Xhaferi”.

Partia qeverisëse VMRO DPMNE e Maqedonisë e ka akuzuar Zaevin se ka rrezikuar sovranitetit e vendit duke pranuar disa kërkesa të vendosura nga partitë shqiptare etnike të Maqedonisë, si është zgjerimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.

Marrëdhëniet e Serbisë me Shqipërinë dhe Kosovën – kurrë në kushte të mira – kohët e fundit u përkeqësuan kur Rama dhe Thaçi u shprehën se dy vendet mund të formojnë një bashkim nëse BE-ja i kthen Ballkanit kurrizin.

Akuzat e VMRO DPMNE kundër Zaevit kanë bërë gjerësisht jehonë në mediat serbe, të cilat e akuzojnë Shqipërinë dhe shqiptarët etnikë në Maqedoni se kërkojnë shkatërrimin e Maqedonisë, terrorizm dhe krijimin e një “Shqipëri Etnike” me ndihmën e Perëndimit.

Mbështetësit e VMRO DPMNE sulmuan parlamentin e Maqedonisë të enjten e kaluar për të parandaluar zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryetar.

Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov ka bllokuar formimin e një qeverie të re koalicioni të drejtuar nga Social Demokratët që nga 1 marsi, kur refuzoi t’i jepte atij një mandat pavarësisht mbështetjes së shumicës.