Ekonomi Ministrja e Financave: 7.5% inflacioni në Shqipëri për muajin Korrik

Ministrja e Financave: 7.5% inflacioni në Shqipëri për muajin Korrik

Inflacioni në Shqipëri për muajin Korrik rezultoi me rritje në nivelin e 7.5%. Të dhënat janë bërë të ditura nga ministrja e Financave Delina Ibrahimaj në një konferencë për shtyp.

Sipas ministres, për 7-mujorin inflacioni mesatar në vendin tonë ka qenë në vlerë 5.3%.

Edhe pse me rritje për muajin Korrik, vendi ynë ka shkallën më të ulët të inflacionit në krahasim me vendet e tjera të rajonit, sipas të dhënave të bëra publike nga ministrja e Financave.

“Në Korrik të këtij viti, inflacioni rezultoi me një normë rritëse prej 7.5%, ndërkohë që për 7-mujorin inflacioni mesatar ka qenë në vlerën 5.3%. Nëse do të krahasohemi me vendet e tjera të rajonit, por edhe me mesataren e BE është ndjeshëm më ulët, i ndikuar edhe nga politikat e ndërmarra deri më tani qoftë ato fiskale apo monetare për të mbajtur në kontroll nivelin e inflacionit. Kështu, Shqipëria me një inflacion 7.5% në muajin Korrik është ndjeshëm më ulët se Maqedonia e Veriut e cila rezultoi me një rritje të çmimeve të konsumit vjetor me 16%, Kosova 14.2%, Serbia 12.8%, Mali i Zi 14.9% ndërkohë që mesatarja e BE-së është 8.9%”, u shpreh Ibrahimaj.

Rritje për muajin Korrik kanë njohur edhe çmimet për ushqimet dhe pijet.

“Elementi që ka ndikuar më së shumti në rritjen e çmimeve të shpenzimeve të shportës së shqiptarëve janë ushqimet dhe pijet, por dhe kostot e transportit. Nëse do të shohim, ushqimet dhe pijet për Korrikun 2022 u rritën me 13.2%. Megjithatë, nëse do shohim analizën e ndryshimit mujor të çmimeve të konsumit, shohim që ushqimet dhe pijet u rritën me 0.6% ndërkohë që inflacioni total u rrit me 0.2%. Kjo tregon që nga fillimi i vitit kemi pasur stabilizim të çmimeve dhe muajt e fundit çmimet janë luhatur në rënie apo në rritje të ulët”, bëri të ditur ministrja e Financave.