Kryesore Ministrja franceze: Nuk jam për veto sot, por duhet të riformohet vetë...

Ministrja franceze: Nuk jam për veto sot, por duhet të riformohet vetë Bashkimi Europian

Ministrja e Francës për Çështjet Europiane, Amelie de Montchalin, tha se nuk ka ndërmend të vendosë veton për çeljen e negociatave, por pranoi se para nisjes së bisedimeve më Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duhet të riformohet vetë Bashkimi Europian.

“Nuk jam sot në pozicionin për veto. Do të kemi shkëmbime në dy dimensione: Së pari, hapja e negociatave, kjo është diçka që përgatitet në Europë. Ne mendojmë sot se kemi nevojë të rishikojmë thellësisht procesin e negociatave. Ne shohim që është një proces që është i ngadaltë dhe që nuk krijon besim për vendet anëtare. Sepse është shumë i shtrirë në kohë. Pra, si fillim do të flasim çfarë Europa duhet të reformojë në qasjen e zgjerimit dhe negociatave”, tha ajo.

“Kapitujt hapen e mbyllen pa fund dhe nuk i përgjigjen pritshmërive të qytetarëve në Shkup e Tiranë. Ne shohim që shumë vende që kanë negociuar anëtarësimin kanë parë rritje të emigrantëve ndërsa ishin në negociata, si Bullgaria, Rumania, Kroacia”.

Montchalin konfirmoi qëndrimin e vazhdueshëm të Francës se procesi i negociatave kërkon riorganizim. “Së pari duhet të diskutojmë procesin, a e konsiderojmë efiçent. Nga ana jonë përgjigja është “jo”. Ne kemi shumë vende që e mbështesin këtë qasje: negocimet kërkojnë riorganizim. Duhet të sigurohemi që reformat që janë kërkuar të jenë reale, të jenë zbatuar. Diskutimet që do kemi do të jenë për këtë çështje. Dua të rikonfirmoj se Franca konsideron se perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor të jetë e plotë. Duhet të bëjmë gjërat në mënyrë të besueshme, të krijojmë besim në rajon dhe Europë”.