Kryesore Ministrja Kushi: Mësuesi i dënuar për pedofili është larguar menjëherë nga puna

Ministrja Kushi: Mësuesi i dënuar për pedofili është larguar menjëherë nga puna

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka reaguar për rikthimin në detyrë të një mësuesi në Berat, i cili sipas saj, është dënuar për pedofili në vitin 2013.

“Dënoj fort rastin e punësimit me kontratë të një mësuesi në Berat, që në vitin 2013 është dënuar nga gjykata për pedofili. Pavarësisht se gjykata nuk ia hoqi të drejtën e rikthimit në detyrë dhe të ushtrimit të profesionit, edhe pse prokuroria e kërkoi një gjë tillë, është e pafalshme që persona të tillë të hyjnë qoftë edhe për një orë të vetme në mjediset e shkollave tona”, shkruan Kushi në Facebook.

Ministrja njofton më tej, se ky person është larguar menjëherë nga puna dhe se sipas saj, do të mbajnë përgjegjësi edhe personat që e kanë rikthyer atë në shkollë.

“Ky person është larguar menjëherë nga detyra dhe ndërkohë kemi nisur një hetim administrativ për të gjetur personin apo personat përgjegjës, që me neglizhencë apo paaftësi, nuk kanë marrë informacionin e duhur dhe kanë lejuar punësimin e tij. Për ta do të merret menjëherë masë ndëshkuese”.