Rreth 500 ushtarakë shqiptarë dhe familjarë të tyre, por edhe studentë që studiojnë në akademitë ushtarake në vendet e NATO-s, gëzojnë shëndet të plotë dhe vijojnë shërbimin e tyre në misionet e aleancës apo përfaqësitë tona diplomatike.
Lajmin e dha Ministria e Mbrojtjes, pas komunikimit në videokonferencë që zhvilloi kreu i këtij dikasteri, Olta Xhacka, dhe shefi i shtabit, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, me përfaqësuesit më të lartë ushtarakë shqiptarë, në strukturat dhe misionet tona në vendet e prekura nga COVID-19.
Fatmirësisht, asnjë prej ushtarakëve shqiptarë që shërbejnë jashtë vendit nuk ka simptoma të sëmundjes, njoftoi Ministria.
Xhaçka i kërkoi ushtarakëve tanë të tregojnë kujdes me masat kundër virusit dhe i siguroi se do të jenë në kujdesin e vazhdueshëm të shtetit shqiptar.