Politika Mitsotakis e pret Ramën në shtëpinë e tij

Mitsotakis e pret Ramën në shtëpinë e tij

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis e priti kryeministrin shqiptar, Edi Rama në shtëpinë e tij për të folur së bashku. Dreka e punës mes të dyve u zhvillua pikërisht në ambientet e banesës së kryeministrit grek dhe pas kësaj, kreu i qeverisë shqiptare shprehu publikisht mirënjohjen.

Pasi shpërndau fotot nga takimi, Rama u shpreh “falenderues” për atë që e quajti “një shije të shkëlqyer nga mikpritja në shtëpinë e kryeministrit Mitsotakis”.

Dy krerët e qeverive patën mundësi të bënin një bilanc të situatës me Covidin, marrëdhënies mes dy vendeve tona dhe problematikave rajonale, njoftoi Rama duke e vënë theksin në vullnetin për ta zhvilluar bashkarisht më tej këtë marrëdhënie strategjike.

Më herët, të njëjtat tema diskutimi i kishte theksuar edhe Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias.

Mediat greke shkruajnë se temë e diskutimit ka qenë padiskutim edhe çështja e detit dhe vendimi i përbashkët për t’ju drejtuar për arritjen e një marrëveshje Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me qendër në Hagë.

Vetëm pak javë pasi u dakordësuan për këtë hap, Greqia me dekret presidencial miratoi zgjerimin me 12 milje në detin Jon. Vendim që rihapi debatet politike e mediatike në Tiranë, por që kryeministri i cilësoi si debat absurd e të nxitur nga presidenti e opozita. Sipas Ramës, Greqia kishte ushtruar një të drejtë të njohur ndërkombëtarisht nga konventat.