Aktualitet Mjekja rrëfen betejën me Covid: Si u infektova me maskë, sëmundja më...

Mjekja rrëfen betejën me Covid: Si u infektova me maskë, sëmundja më e vështirë e jetës sime

Mjekja Alma Cili

Mjekja hematologe, Alma Cili, rrëfen eksperiencën e saj të vështirë të betejës me koronavirusin. E ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, mjekja Cili tregon si u infektua në punë, edhe pse ishte me maskë, ndërsa tregon se virusin e rëndë ia ka kaluar gjithë familjes, bashkëshortit dhe dy djemve të saj të vegjël.

Duke e cilësuar këtë si sëmundjen më të vështirë, mjekja tregon edhe simptomat e saj, teksa thekson se “të martën pasdite kur kthehem nga puna, bëj një dush, me idenë të bëj një dush se si dihet mund të kem marrë diçka atje. Në momentin që kam dalë nga dushi, ekzakt në korridor, jo kollë, por që mua më ka rrëzuar në korridor, që nuk ka ndodhur kurrë”.

Ju keni kaluar një betejë shumë të fortë me koronavirusin, si e përjetuat si mjeke, kur u prekët?

Mjekja: Jam prekur në javën e parë të qershorit, jam infektuar në punë. Ne klinikën tonë të hematologjisë nuk e kemi mbyllur në asnjë moment, pasi pacientët tanë, duke qenë se janë me kancer, bëjnë protokollin e kimioterapisë në një datë të caktuar. Ne kemi qenë aty gjithë kohës dhe infektimi ka ndodhur aty. Unë besoj, jam e sigurt, sepse dy kontaktet e fundit kanë qenë një familjare e një pacienteje, e cila u diagnostikua me leucemi akute, dhe një paciente, që më pas u transferua në Infektiv.

A mund të shmangej infektimi?

Mjekja: Dua ta theksoj për të gjithë ata që mendojnë se nuk mbajmë maska, kam foto pafund, që tregojnë se si ne kemi mbajtur maska çdo ditë. Unë personalisht kam pas maskë ditën e infektimit, sepse i gjithë stafi ka bërë një infeksion 48 deri në 72 orë pas kontaktit me një pacient të infektuar.

Si e kuptuat, cilat ishin simptomat e para?

Mjekja: Ka qenë ditë e enjte dhe unë zgjohem me një dhimbje fyti, nuk e mendova që ishte Covid-19, sepse unë isha me maskë gjatë gjithë kohës, plus nuk më vinte në mendje dikush që ishte pozitiv, që të kisha rënë në kontakt me të. Unë nuk kam ndenjur dy orë me një paciente. Ky virus jeton dhe jeton në ajër. Unë mendoj se transmetohet me anë të konjunktivave, sepse kemi qenë gjatë gjithë kohës me maskë, me dorezë. Të enjte, të premte ka qenë një dhimbje fyti. Në fundjavë i them bashkëshortit ‘të lutem nxirri fëmijët, largoi nga unë, se nuk rri dot me maskë gjithë ditën’. Aty fillova të dyshoj, që ndoshta është Covid, diçka që nuk e ndjeja veten në trupin tim. Unë jam shumë aktive, jam majë takave gjithë ditën, dhe ishte një lodhje për të bërë gjërat normale. Psh. Më pihej uji dhe isha në divan, nuk çohesha dot dhe i thoja fëmijës, pra ishin ca gjëra që nuk shkonin. Të hënën kam qenë shumë mirë, kam shkuar në punë me maskë. Isha pak si jo mirë, por asgjë e jashtëzakonshme. E marta ishte normal fare, deri në 15:30 në punë, siç kemi orarin. Të martën pasdite kur kthehem nga puna, bëj një dush, me idenë të bëj një dush se si dihet mund të kem marrë diçka atje. Në momentin që kam dalë nga dushi, ekzakt në korridor, jo kollë, unë zakonisht jam njeri që kollitem dhe në pavion më thërrasin ‘Alma kolla’, se çdo virus më lë një kollë mbrapa, madje mendoja se e kisha kaluar diçka të tillë në shkurt, sepse kam kaluar tranzit në Romë. E kisha bërë serologjinë, doli negative. Ishte një kollë që mua më ka rrëzuar në korridor, që nuk ka ndodhur kurrë. E shoh që nuk mund ta vija më maskën, më merr bashkëshorti me djalin e madh, dhe i vogli sa mund të ndihmonte, se është vetëm 4 vjeç, dhe më shtrijnë në shtrat. Aty e shoh që ishte e pamundur të mbaja maskën, nuk mbushesha dot me frymë. Thashë kjo është korona, i thashë bashkëshortit ‘të lutem merr fëmijët’. Ata refuzuan të largohen dhe i falënderoj, sepse më qëndruan pranë dhe unë mendoj se pa s’do ja dilja, më mbushën kohën, se ishte sëmundja më e vështirë në jetën time.

Po tamponin…

E nesërmja nuk filloi me tamponin. Shkova në spital e mbuluar totalisht. I them vajzës së skanerit që më duhet një skaner. E tregoi që isha e prekur. Te ne ishin infektuar pafund personel mjekësor, se ky personel kujdesej, se ishte e pamundur të kishte familjarë për t’u shërbyer të sëmurëve.