Nga Viktor Malaj
Me qëllim që të bëhet sundimtar politikani pozon si shërbëtor – Sharl de Gol
Shumë njerëz duhet të jenë çuditur kur e kanë parë Lulzim Bashën në TV duke u skërmitur dhe bërë thirrje për luftë, shpim gomash, thyerje xhamash apo nxjerrje zvarrë nga zyrat shtetërore të administratës që është ngritur mbi bazën e rezultatit të zgjedhjeve të qershorit 2013. Duhet të jenë çuditur dhe zhgënjyer sepse kanë pasur një imazh tjetër për të. Personalisht e kam pritur një ditë të tillë duke pasur parasysh faktin si ka mbërritur aty ku është (njeri pa kontribute shoqërore) dhe, sidomos, pohimin e tij shumë domethënës se “Ne i përkasim shkollës politike të Sali Berishës”, bërë menjëherë pas vendosjes në atë post. Shfaqjet e tij qesharake në TV me shprehjet: “Mos na provokoni! Po deshët luftë, luftë do të kini…..do të fshiheni si minjt..” etj. më kujtuan ato që tregojnë për Shaban Qosen që iu thoshte dikur njerëzve në rrugë: Hë, çfarë ke me mua? Me mua e pate ti? A e di çfarë të bëj? Ndërsa njerëzit, që as e njihnin as donin t’ia dinin se ekzistonte ndopak, mërmërisnin me vete dhe me njëri-tjetrin: Çfarë pati ky? A është mirë nga mendtë? Hajde trap hajde!
Po të vihet re me kujdes, Basha, nën regjinë e atit të tij shpirtëror dhe tutorit politik, ka rrëmbyer një kauzë të drejtë me shpresë se shumica e shqiptarëve do ta “hanë sapunin për djathë”. Madje, ai ka shkuar edhe më larg. Pas “luftës për zgjedhje të lira” ka dalë me pretendimin se ka marrë përsipër “misionin e përmbysjes së republikës së vjetër dhe ngritjen e republikës së re të qytetarëve shqiptarë”. Historitë e popujve janë të mbushura me qindra raste kur gangsterë politikë dhe përfaqësues të mentalitetit dhe moralit të vjetër janë përpjekur të shiten si misionarë të së resë dhe armiq të së vjetrës.
E ashtuquajtura “republikë e vjetër”, republika e mashtrimit, falsifikimit dhe dhunimit të zgjedhjeve të lira, e korrupsionit, trafikut të njerëzve, kondrabandës dhe drogës, e padrejtësisë dhe gangsterizmit politik është republika e themeluar nga ati i tij shpirtëror dhe ka si bazë ideologjike, morale dhe praktike berishizmin. Tani, nga njëra anë të pohosh se i përket shkollës berishiste, që përbën lëndën formuese të “republikës së vjetër”, dhe, nga ana tjetër të vetëshpallesh kalorës i përmbysjes së saj; nga njëra anë t’i jesh bashkuar asaj ideologjie dhe praktike vullnetarisht, ta kesh mbështetur dhe glorifikuar, ta kesh zbatuar dhe të kesh përfituar prej saj dhe, nga ana tjetër, të mëtosh se do ta zëvendësosh me një “republikë të re” duke ruajtur të paprekur berishizmin, pra moralin e vjetër, këto gjëra bien në kundërshtim edhe me format më të thjeshta të të arsyetuarit. Thjesht, pretendime të tilla propagandistike të tregojnë hipokrit, mashtrues të paskrupullt.
Republikën e vjetër (terma si ky më bëjnë të qesh) do të mund ta bënin të harrohej individë me personalitet, kulturë dhe dinjitet të cilët ose nuk janë provuar asnjëherë në politikë dhe qeverisje ose, kur janë provuar, kanë dëshmuar aftësi të mëdha drejtuese dhe mospajtim të vendosur me të gjitha format e shtrembërimit të parimeve demokratike dhe atyre morale. Mirëpo Lulzim Basha ka ardhur nga pozitat e një njeriu fare të zakonshëm, i cili nuk kishte drejtuar gjatë jetës së tij asnjë zyrë dhe, pasi u përdor si dekor mashtrues nga xha Saliu në 2005, u katapultua në drejtimin e tri ministrive. Për fatin e keq të tij, por akoma më shumë të popullit shqiptar, në të tria pozitat e larta shtetërore ai kreu veprimtari skandaloze që përbëjnë krim dhe vetëm pushteti që zotëronte tutori i tij e kanë shpëtuar nga burgosja.
Përpara se t’i bashkëngjitej PD-së ai e dinte historinë e saj dhe krimet e kryer nga administratat qeverisëse të kësaj partie. E, megjithatë, ai iu bashkua asaj duke dëshmuar se morali i tij, pavarësisht formës së jashtme të shfaqjes, përputhej plotësisht me psikologjinë, mentalitetin dhe filozofinë e të menduarit dhe të sjellurit të berishizmit dhe berishistëve.
Tani, Basha hiqet si idealist dhe pretendon se nuk pajtohet kurrsesi me krimin dhe me dhunimin e zgjedhjeve. Nëse është vërtetë i tillë (as ai vetë s’e beson këtë) pse pranoi t’i bashkohej PD-së pa dënuar më parë dhunimin prej saj të zgjedhjeve të 1996, pa dënuar aktet kriminale të nxitjes së luftës jug-veri dhe përdorimin e ushtrisë ndaj civilëve në 1997, pa dënuar marrjen e pushtetit me dhunë në shtator 1998? Ky “ithtar” i zgjedhjeve të lira, përse nuk doli në 2009 dhe t’i thoshte partisë së tij dhe atit politik që “Jam bashkuar me ju për hir të Shqipërisë dhe parimeve demokratike prandaj ne duhet të hapim kutitë e votimeve meqenëse e ndiejmë veten të pastër dhe nuk i kemi falsifikuar ato”? Përse ky idealist i rremë nuk doli në 2011, as pas thirrjes së Kadaresë për tërheqje, dhe të thoshte se “mirë apo keq, kundërshtari i fitoi zgjedhjet me dhjetë vota më shumë prandaj i uroj fitoren”?
Lulzim Basha nuk i ka bërë asnjërën nga këto sepse atë nuk e shqetëson fare parimi i zgjedhjeve të lira dhe as prania e individëve me të shkuar kriminale pasi partia e tij është themeluesja e institucionit të vjedhjes së votave dhe e përdorimit të kriminelëve ordinerë në proceset zgjedhore. Basha beson se shumica e shqiptarëve e kanë harruar se çfarë ka bërë partia e tij gjatë gjithë jetës të saj me proceset zgjedhore. Fatmirësisht, shumica i kujton këto maskarada, fytyrat e mbuluara e të zbuluara, kostumet dhe gjithçka tjetër që janë të domosdoshme për maskaradën.
Çdo përpjekje për t’u shitur si misionar i së drejtës dhe parimeve demokratike pa braktisur dhe dënuar berishizmin si ideologji dhe praktikë dhunuese e së drejtës dhe e këtyre parimeve është përpjekje e dështuar qysh pa nisur ende. Madje, mënyra si po sillet dhe shprehet e tregon Bashën pasues besnik të formave dhe metodave më vulgare të berishizmit ku ka dominuar fjalori i shëmtuar i rrugës, thirrjet për luftë, kërcënimet, ultimatumet, fyerjet, rrenat, sakrifikimi i vendit për hir të pushtetit etj.
Të pretendosh “përmbysjen e republikës së vjetër” dhe ngritjen e së resë kur ke qenë ndër ndihmësit kryesorë të së parës dhe kur pretendon ta bësh këtë me Mediun e Gërdecit dhe të drogës, “Dukën e krimit”, Nard Ndokën e politikës estradeske, me karagjozin K.Spahiu apo disa figura të tjera që të vjen turp kur i sheh në skenën e politikës shqiptare, kjo do të thotë të mihësh në ujë. Fakti që në 18 shkurt u mblodhën shumë njerëz në shesh as nuk të jep të drejtë dhe as është kusht që qeveria të ndërpresë mandatin katërvjeçar. Partitë e mëdha mund t’i mbledhin aq njerëz, apo më shumë, qysh të nesërmen e zgjedhjeve, por fakti se kush duhet të qeverisë nuk përcaktohet nga sasia e njerëzve në shesh, por nga raporti i votave ditën e zgjedhjeve. Shumica e shqiptarëve e kujtojnë referendumin për Kushtetutën e vitit 1994 kur Sali Berisha i mbushte sheshet me njerëz dhe ditën e votimeve doli se 64% e shqiptarëve ishin kundër tij.
Pretendimet e Bashës dhe një pjese të PD-së se ekzistenca e prodhimit apo tregtimit të kanabisit është provë e mjaftueshme se zgjedhjet e ardhshme do të blihen apo manipulohen nuk janë aspak bindëse. Pse? Sepse ata që merren me këto punë të paligjshme i bëjnë ato për xhepin e tyre dhe, për nga simpatitë edhe prirjet partiake, janë larush. Po të niseshim nga arsyetimet e Bashës do të konkludonim se ish-kryetari i PD-së për komunën Rukaj të Matit, të cilit iu kapën tre ton drogë shtatorin e kaluar, e ka bërë këtë në bashkëpunim me vetë Bashën nën kujdesin e Berishës për t’i përdorur paratë në zgjedhjet e ardhshme. Gjithashtu, fakti se Berisha e ka pranuar vetë se “ka qenë politika ime për të mos ndërhyrë në Lazarat”, droga e të cilit është vlerësuar rreth 2 miliard dollarë, duke ndjekur hullinë logjike të Bashës do të na mjaftonte të konkludonim se PD i ka fituar të gjitha zgjedhjet me drogë. Nga ana tjetër, edhe sikur ato që thotë Basha të ishin të vërteta dhe të krijohej qeveri teknike, kjo nuk do të ndryshonte asgjë, pasi paratë do të ishin në dispozicion dhe ato do të përdoreshin larg qendrave të votimit, akt që nuk do të mund ta pengonte asnjë lloj qeverie. Gjithashtu, asnjë fakt nuk është sjellë se qeveria aktuale ka përdorur policinë në proceset zgjedhore, siç ka bërë dikur Sali Berisha. Madje, zotin Basha llogaritë kobzeza për luftë e paskan çuar në përfundimin se, në rast konflikti, tre të katërtat e policisë do të arrestonin Ramën dhe jo atë vetë. Atëherë, kur ai e di se shumicën e policisë e ka me vete, pse merakoset?
Ideologjia berishiste dhe morali i saj manifestohen dukshëm tek Basha, pavarësisht formës së shfaqjes. Një ish-deputet i PD-së pohonte dikur në shtyp se në vitet 2000 PD kishte organizuar në Shkodër një mbledhje me kryetarët e gjithë partive opozitare në aleancë me PD-në. Fatmir Mediu, i dënuar nga drejtësia italiane për drogë, kishte ardhur me vonesë në atë mbledhje dhe kishte pohuar se shkak ishte bërë një aksident automobilistik që kishte nxjerrë makina e tij nga rruga. Në çast kishte ndërhyrë Berisha dhe i kishte thënë: “Jo, ai s’ka qenë aksident automobilistik, por ty ta ka shkaktuar aksidentin SHIK-u qëllimisht dhe për motive politike”. Këtë fabul të mashtrimit dhe intrigës politike e shohim të shfaqet edhe tani kur një simpatizant i flaktë i PD-së që postonte në fejsbuk me krenari fotografitë e tij me Saliun, i kishte futur një të rrahur në “çadrën e lirisë” aventurierit Kreshnik Spahiu. Me pafytyrësinë që e karakterizon, Basha pohoi se këtë akt e kishin kryer njerëzit e kryeministrit aktual për t’i mbyllur gojën faqeziut, siç e quante “kuqeziun” tutori i Lulzimit katër vjet më parë. Ka edhe më episode të ngjashëm me këto që flasin drejtpërdrejt për moralin e kalbur të këtij dordoleci politik. Prandaj shqiptarët qeshin përditë me shfaqjet e tij groteske në TV dhe në bulevard. Duke e parë se shumë figura të partisë së tij kanë nisur të dyshojnë në vlerat e aksionit të ndërmarrë prej tij, Basha thërret aty – këtu : ” Nuk është lojë, është luftë, të cilën do ta fitojmë…”. Çuditem si nuk ka asnjë basjkëpunëtor të mençur që t’i thotë në mirëbesim: ” Lëre këtë muhabet tani se u bëmë gazi i botës…! “.
Unë kam bindjen se ato çfarë po bën kupola e PD-së, me skenar dhe regji të Berishës, janë akte të dëshpërimit politik. Duke e parë se janë të humbur dhe s’kanë çfarë humbasin tjetër kanë menduar t’i hyjnë kësaj aventure me dështim të paravendosur, por që do të ketë kosto për vendin dhe popullin. Synimi është i shumëfishtë: Të ngjallin strukturat partiake para zgjedhjeve; të pengojnë zgjedhjen e Presidentit të ri; të vonojnë dhe pengojnë zbatimin e ligjeve të Reformës në Drejtësi. Është dëshpërimi politik që e nxori Bashën lakuriq për synimet që ka. Ai tha se “Nuk ka veting me këtë qeveri… Veting do të ketë një ditë pas vendosjes së qeverisë teknike…”. Pra, ata duan që me presione rruge të zhbalancojnë raportet politike të vendosura me votim të lirë dhe pastaj të realizojnë reformën që duan dhe si duan vetë. Mirëpo, për ta bërë reformën sipas berishistve nuk ka fare nevojë për reformë sepse vepra e berishizmit në drejtësi është gjendja e sotme e saj.
Sjelljet në çadër dhe rreth çadrës së bulevardit të disa figurave politike tashmë të diskredituara apo të disa njerëzve të gënjyer nuk të bëjnë përshtypje. Ajo që të çudit është shndërrimi në ushtar të propagandës mashtruese politike e ndonjë akademiku hokatar i cili, me disa shkrime në formë bejtesh, përpiqet të na bind se ata që kanë ngritur çadrën e kanë bërë këtë për parime dhe se ata do të na sjellin një “republikë tjetër” dhe do të bëjnë rishpërndarjen e pasurisë. Nuk e di a e beson ky zotëri këtë përrallë se milioneri Basha dhe milionerët e tjerë rreth tij dhe mbi të do t’ua shpërndajnë të varfërve pasuritë që ua kanë grabitur për aq kohë sa kanë pasur mundësi. Ishte po ky dhe i vetmi (akademiku në fjalë), që përshëndeste publikisht sjelljen e vrazhdët të spikeres së Parlamentit, por në atë kohë nuk ishte akademik. Ndoshta është koha të hapim një Akademi Bejtexhinjsh.
Botuar sot në DITA