Kryeministri Edi Rama mohoi në emisionin “Open” në Top Channel mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme në rast se nesër merret një vendim negativ sa i përket negociatave me Bashkimin Evropian.
“Ne jo vetëm që nuk do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, por do të vazhdojmë punën tonë. Në datë 19 dielli do të lind përsëri”, tha Rama.
Sipas Ramës, “Shqipëria nuk ka pse shkon në zgjedhje të parakohshme se Shqipëria nuk i ka lënë mangut asgjë këtij procesi”.
“Nëse zgjedhjet e parakohshme do të zgjidhnin problemin midis Francës dhe Gjermanisë do ta mendoja seriozisht”, shtoi Rama.
Pse nuk hapen negociatat? Rama: Shkoni dhe pyesni presidentin e Francës
“Pse nuk u hapën (negociatat) kur u tha që do të hapen, këtë shkoni dhe kërkojani presidentit të Francës”.
Kjo ishte përgjigjja e Edi Ramës për gazetaren Eni Vasili kur iu tha se kishte premtuar hapjen e negociatave me BE që në vitin e parë të qeverisjes, ndërkohë që 6 vite më pas kjo nuk ka ndodhur ende.
“Nëse Komisioni Evropian do të thoshte se nuk i ka plotësuar Qeveria kushtet, atëherë mund të më kërkoni llogari mua”, shtoi Rama.
Sa i përket deklaratës së presidentit Macron për azilkërkuesit shqiptarë, Rama tha se bëhet për konsum të brendshëm.
“E kam bërë unë këtë debat drejtpërdrejtë me presidentin e Francës dhe nuk e di unë, çfarë prisni ju të thotë ai kur i flet elektoratit francez. Unë di këtë, që nuk ka lidhje fare liberalizimi i vizave me negociatat”, tha Rama.