Politika Fillon darka e punës e liderëve europianë: Ja kur jepet vendimi për...

Fillon darka e punës e liderëve europianë: Ja kur jepet vendimi për negociatat

1134792153

Gazetarja e ABC News, Erisa Zykaj, ka raportuar se, pritet që të fillojë darka e punës e 28 liderëve europianë, të cilët kanë në axhendën e tyre, së pari çështjen e zgjerimit dhe pastaj çështjen e Turqisë.

Deri tani nuk ka patur asnjë lloj ndryshimi, përveç deklaratës së presidentes së re të Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen, e cila është shprehur se ka shumë pak shanse, që Franca dhe Holanda të ndryshojnë qëndrimin e tyre lidhur me zgjerimin sonte.

Franca mbetet e palëkundur dhe Macron është shprehur se Shqipëria, duhet të përmbushë dy kushte themelore sipas planit të Bundestagut. Sipas planit duhet që Shqipëria të zbatojë reformën në drejtësi, dhe të ketë një gjykatë kushtetuese dhe të lartë funksionale, si dhe zbatimin e reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Por ai shkon më larg të kushtëzimit francez, duke thënë se duhet ndryshuar krejtësisht metodologjia e procesit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, për ta bërë atë më konkret.

Ka shumë pak gjasa të ndryshohet qëndrimi i Francës, i Holandës dhe i Danimarkës, pasi ata mendojnë se Shqipëria nuk ka rezultate konkrete, në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe forcimit të shtetit ligjor.

Plani i Francës është që, të lërë një takim në Mars të 2020, duke ftuar Komisionin Europian të japë propozimet e saj për të ndryshuar metodologjinë e procesit të negociatave për anëtarësimin, dhe vetëm atëherë do të gjykojë nëse Shqipëria ka përmbushur dy kushtet që i kanë vënë, dhe të mund të shprehen nëse është vërtetë koha për të dhënë një dritë jeshile.

Vendimi në lidhje me hapjen e negociatave pritet që të jepet përpara orës 15.00 të ditës së nesërme.