Bota Mosha mesatare e pacientëve të infektuar me koronavirus në SHBA është ulur...

Mosha mesatare e pacientëve të infektuar me koronavirus në SHBA është ulur me 15 vite

Zhvillime të reja vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për sa i përket pandemisë së koronavirusit.

Doktori Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar për Sëmundjet Infektive bëri me dije se mosha mesatare e pacientëve me koronavirus është ulur me 15 vite, krahasuar me fazat e para të pandemisë.

Ditët e fundit janë rritur ndjeshëm rastet e reja me koronavirus në Kaliforni, Arizonë, Florida dhe Teksas dhe kjo për shkak se të rinjtë kanë refuzuar të zbatojnë masat e distancimit social dhe shpesh herë janë mbledhur në festa të mëdha.

Gjatë intervistës, Fauci shpjegon se “mosha mesatare e njerëzve që po infektohen me Covid-19 është 15 vjet më pak, krahasuar me disa muaj më parë”.

Guvernatori i Floridas, Ron DeSantis deklaroi të hënën se mosha mesatare e pacientëve që kanë nevojë për hospitalizim tashmë është 33 vjeç.

Pjesa më e madhe e personave të diagnostikuar pozitivë në mars dhe prill ishin 50-60 vjeç.