Aktualitet Mosmbajtja e maskës u kushton shqiptarëve mbi 5 milionë lekë të vjetra...

Mosmbajtja e maskës u kushton shqiptarëve mbi 5 milionë lekë të vjetra në një ditë

Jo të gjithë qytetarët e kanë respektuar dje Aktin Normativ të qeverisë shqiptare, i cili parashikon mbajtjen e maskës në ambientet publike. Ka prej atyre që e kanë thyer këtë masë, ndërsa Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake nuk i kanë toleruar aspak, por kanë zgjedhur t’i ndëshkojnë me gjobë.

Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, Policia e Shtetit bëri të ditur se dje në të gjithë vendin  janë ndëshkuar 171 qytetarë me nga tre mijë lekë të reja.

“Në rastet kur janë konstatuar qytetarë që nuk kishin maska ose që i kishin por nuk i vendosnin në fytyrë, shërbimet e Policisë i kanë këshilluar ata për vendosjen e tyre. Gjatë kontrolleve në të gjithë vendin, shërbimet e Policisë kanë vendosur edhe gjoba për qytetarët që nuk kishin vendosur maskat dhe as nuk i kishin ato me vete. Në të gjithë vendin janë vendosur 171 masa administrative me vlerën 3.000 lekë secila”, thekson policia.

Por, pavarësisht shkeljeve, Policia e Shtetit thotë se numri i atyre që kanë zgjedhur të mbajnë maskë ka qenë në nivele të kënaqshme. 

“Gjatë kontrolleve është konstatuar që shumica e qytetarëve i kishin vendosur maskat mbrojtëse. Shërbimet e Policisë do të jenë prezente çdo ditë, në ambiente të ndryshme në të gjithë vendin dhe në rast se do konstatojnë qytetarë që nuk kanë vendosur maskat mbrojtëse, do të marrin masat administrative sipas Aktit Normativ”, thekson policia.

Me një llogari të thjeshtë matematikore rezulton se vetëm gjatë ditës së djeshme, shuma e gjobave të lëshuara nga forcat e policisë ka shkuar në 513 mijë lekë të reja.