Sport Mourinho ndryshon mendim për Kumbullën: Kam qenë shumë i ashpër, sot ishte...

Mourinho ndryshon mendim për Kumbullën: Kam qenë shumë i ashpër, sot ishte më i miri

Kanë mjaftuar 90 minuta të mira dhe Mourinho ka ndryshuar totalisht mendim për mbrojtësin shqiptar Marash Kumbulla. Roma fitoi 1-0 këtë të diel ndaj Cagliarit, por më pozitive se 3 pikët në këtë takim është fakti që “verdhekuqtë” nuk pësuan gol.

Pas takimit, Mourinho nuk hezitoi të vlerësojë mbrojtjen, duke veçuar Kumbullën si më të mirin e repartit. Madje, duke i kërkuar edhe falje për sjelljen e tij në të kaluarën.

“Dua të flas për Kumbullën. Ai ishte më i miri, ka bërë një ndeshje fantastike dhe kjo më bën të lumtur pasi ka kaluar një periudhë të vështirë dhe unë kam qenë shumë i ashpër me të në deklarata dhe stërvitje.

Ai ka qenë gjithmonë shumë i qetë dhe i përulur, është rritur shumë. Ai dhe Mancini kanë bërë mirë, por edhe mesfushorët e qendrës kanë bërë mirë mbulimin, ndryshe nga ajo që kishte ndodhur me Juventusin”, u shpreh Mourinho.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse Kumbulla do të vijojë të jetë pjesë e Romës në të ardhmen, duke qenë se më parë u fol për një largim të mundshëm të mbrojtësit të kombëtares shqiptare.