Bota NATO mohon kërcënimin ndaj Bjellorusisë

NATO mohon kërcënimin ndaj Bjellorusisë

NATO mohoi të shtunën mbrëma se po forconte praninë e saj ushtarake në kufirin me Bjellorusinë, duke thënë se pretendime të tilla ishin të pabazuara, pas deklaratave të Presidentit Alexander Lukashenko.

“Çdo deklaratë në lidhje me forcimin e NATO-s në kufirin me Bjellorusinë është e pabazuar. Siç e kemi sqaruar tashmë, NATO nuk paraqet asnjë kërcënim për Bjellorusinë ose ndonjë vend tjetër dhe nuk forcon praninë ushtarake në rajon”, tha zëdhënësja NATO-s Oana Lungescu në një deklaratë të shkurtër.

Aleanca thekson se është në një pozicion “rreptësisht mbrojtës”, theksoi ajo.

“Ne mbetemi vigjilentë, të gatshëm të parandalojmë çdo agresion dhe të mbrojmë aleatët tanë. Ne i bëjmë thirrje Minskut të tregojë respekt të plotë për të drejtat themelore”, shtoi zëdhënësja.

Të shtunën, Lukashenko vizitoi njësitë ushtarake në Grodno, afër kufirit polak, njoftoi Presidenca Bjellorusia.

Në terrenin e stërvitjes ushtarake, ai dënoi protestat, të cilat, sipas tij, u nxitën “nga jashtë”, dhe theksoi se forcat e NATO-s po mblidheshin në afërsi të kufirit të Bjellorusisë, në territorin e Polonisë dhe Lituanisë.

Ai theksoi se për këtë arsye forcat bjelloruse ishin vënë në gatishmëri.